Kryeparlamentarja Spiropali: Fuqizimi i grave dhe vajzave, kontribut i domosdoshëm për shoqërinë
2024-10-01 11:10:18

Spiropali (Foto Top Channel))

Kryetarja e Parlamentit shqiptar, Elisa Spiropali, deklaroi se zbatimi i programeve të ndryshme për barazinë gjinore nuk është vetëm një objektiv për t’u arritur, por një e mirë që i duhet një shoqërie të zhvilluar dhe demokratike, shkruan “ATSH”.

Gjatë veprimtarisë “Roli i Parlamentit dhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm”, kryeparlamentarja Spiropali tha se çdo grua duhet respektuar si qenie njerëzore.

Duke folur për nismat e ndërmarra nga Parlamenti shqiptar, Spiropali tha se sot 40% e këtij institucioni janë gra dhe vajza dhe po ndërmerren politika për rritjen e rolit dhe fuqizimit të tyre në shoqëri.

“Objektivat tona janë drejt politikave të barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave drejt një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë që janë ndërmarrë nga Kuvendi. Barazia gjinore nuk është diçka në vetvete, por është një kontribut i domosdoshëm për të gjithë shoqërinë”,- tha Spiropali. (Fatosi)