Festivali i sazeve (Foto Atsh)
Në Kolonjë, i njohur si vend me traditë për sazet dhe instrumentet popullore, u zhvillua Festivali Kombëtar Tipologjik i Sazeve, shkruan “ATSH”.
Me dhjetëra grupe muzikore performuan në skenën e ngritur në rrapin shekullor të Leskovikut, që ruhet si monument natyre.
Të ardhura nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, ata përcollën meloditë autentike popullore përmes instrumenteve tradicionale, duke ruajtur dhe promovuar trashëgiminë muzikore të vendit.
I kthyer tashmë në një traditë të rëndësishme, Festivali Kombëtar Tipologjik i Sazeve po tërheq vëmendjen jo vetëm të banorëve vendas, por edhe vizitorëve të shumtë në Leskovik dhe Ersekë.
Ai u paraqet dashamirësve një përvojë unike të muzikës dhe kulturës shqiptare. (Fatosi)