Foto nga VCG
Lideri suprem i Iranit, ajatollahu Ali Khamenei, është dërguar në një vend të sigurt brenda vendit, në mes të sigurisë së shtuar, një ditë pasi Izraeli vrau kreun e grupit libanez Hezbollah, të mbështetur nga Irani, në një sulm në Bejrut të Libanit, shkruan “RTSH”.
Sipas medieve, lëvizja për të mbrojtur vendimmarrësin kryesor të Iranit është shfaqja e fundit e nervozizmit nga autoritetet iraniane, pasi Izraeli nisi një sërë sulmesh shkatërruese ndaj Hezbollahut.
Khamenei publikoi një deklaratë pas njoftimit të Izraelit për vrasjen e Hassan Nasrallah, duke thënë: “Fati i këtij rajoni do të përcaktohet nga forcat e rezistencës, me Hezbollahun në ballë. Gjaku i dëshmorit nuk do të mbetet pa hak”.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin luajtur një rol në vrasjen e Nasrallah, si furnizues i armëve për Izraelin.
“Amerikanët nuk mund të mohojnë bashkëpunimin e tyre me sionistët”,- tha ai në deklaratën e transmetuar nga media shtetërore iraniane. (Fatosi)