Më 19 shtator 2024, Ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe Ministrja e Shtetit për Rininë, Bora Muzhaqi, zhvilluan një takim me studentë që po ndjekin Programin e Kodimit të qeverisë shqiptare.
Programet e kodimit (Foto Ministria e shtetit për rininë dhe fëmijët )
Ky program i bashkohet një anëtarësie globale, duke u bërë pjesë e një komuniteti mbarëbotëror të zhvilluesve të programeve kompjuterike dhe punëdhënësve të rëndësishëm, që garanton mundësi punësimi në kompanitë më të mira nëpër botë.
Zhvillimi i aftësive teknologjike është kthyer tashmë në një domosdoshmëri për brezat e rinj të Shqipërisë. Këto zhvillime të vrullshme në teknologji po shoqërohen edhe me programe qeveritare, për të adresuar si duhet ndryshimet.
Duke qenë se format tradicionale të edukimit kërkojnë kohë për të përgatitur të rinj të kualifikuar në fushën e teknologjisë, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë masash për të zhvilluar një metodë efikase dhe të shpejtë, për edukimin dhe profesionalizimin e të rinjve shqiptarë në botën e teknologjisë.
Një ndër këto masa është nxitja e aftësive koduese për të rinjtë, pjesë e zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Rinisë të qeverisë shqiptare 2022-2029.
Këshilli i Ministrave miratoi në tetor 2022, vendimin nr. 646, datë 5.10.2022 “Për procedurat, kriteret dhe rregullat për zbatimin e programeve të formimit profesional, nëpërmjet mbështetjes financiare të ofruar, sipas procedurave të konkurimit, për kurset e formimit profesional të organizuara nga institucionet e formimit profesional, publike apo private”.
Në vijimësi, Ministria e Financave dhe Ekonomisë nxori Udhëzimin Nr.1, datë 10 janar 2023, “Për përcaktimin e programeve të formimit profesional që përfitojnë nga mbështetja financiare”, ku përcaktohet se mbështetja financiare do të ofrohet për programet e formimit profesional në fushën “Programim”.
Programi i Kodimit, i cili i hapi aplikimet 19 muaj më parë, në janar 2023, po implementohet nga Ministria e Ekonomisë. nëpërmjet institucionit zbatues Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësimit (AKPA).
Në kuadër të Programit të Kodimit, për të gjithë të rinjtë e apasionuar pas teknologjisë dhe që kanë nevojë për trajnime të mëtejshme për të thelluar njohuritë, apo edhe për ata që duan të ndryshojnë orientimin e tyre në karrierë, janë ofruar deri tani dhe po vazhdojnë të ofrohen kurse të zhvillimit profesional, me mbështetje financiare nga qeveria shqiptare në vlerën 150 mijë lekë ose 1,500 euro për punëkërkuesit, dhe në vlerën 300 mijë lekë ose 3,000 euro për të papunët.
Për personat me aftësi të kufizuara, përtej mbështetjes për individët që duan të jenë pjesë e kurseve, ka dhe një mbështetje shtesë në vlerën 200 mijë lekë ose 2,000 euro, për të siguruar që të kenë akses të barabartë në këto mundësi.
Ministrja e shtetit për rininë dhe fëmijët Bora Muzhaqi (Foto Ministria e shtetit për rininë dhe fëmijët)
Gjatë takimit me studentët programues, Ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhe theksoi se “Ju i keni absolutisht të gjitha dyert tona hapur dhe po punojmë shumë që të keni 360 gradë ndihmë në financime, bonuse, edhe pasi të mësoni në këtë kurs, që të keni mundësi të zhvilloni një projekt, me specializimet që ne bëjmë.
Për shembull, grupi që erdhi nga Izraeli. Të gjithë të rinjtë nga Shqipëria që ishin atje, tani kanë mundësi të bëjnë një projekt të sigurtë, për të marrë financime nga IPARD. Për ta zhvilluar nga fillimi deri në fund, dhe pastaj të përzgjidhen.
Drejtojuni sa më shumë faqeve online që ne po zhvillojmë dhe po hapim, të cilat janë orientuese për programe, për bonuse dhe aplikime, sepse ka financime pafund për ju.
Pastaj puna jonë, si unë, Ministrja e Rinisë dhe si qeveri, është që ne të krijojmë mundësitë që tregu ynë të jetë alternativa e parë për ju”.
Ndërsa Ministrja e Shtetit për Rininë, Bora Muzhaqi, cilësoi se “Ky program ka filluar në janar 2023. Është viti i dytë që po zbatohet. Ne sot kemi diku tek 1,800 të rinj dhe jo vetëm të rinj, që kanë dalë nga ky program dhe janë diplomuar, qoftë përmes kurseve 4-5 mujore, por edhe me kurse, si ky që jemi këtu, prej 9 muajsh, që kanë pasur një rezultat shumë të mirë.
Ne jemi gati për të hedhur edhe hapin tjetër, atë të tërheqjes së investitorëve të huaj dhe kompanive të huaja që të vijnë në Shqipëri, sepse kemi një staf të përgatitur, që flet anglisht, që di gjuhe të tjera të huaja shumë mirë”.
Qeveria shqiptare u bën apel të rinjve që të regjistrohen në arsimin profesional, si mundësi që garanton punësim të shpejtë dhe paga dinjitoze. Deri tani, pas 19 muajsh, Programi i Kodimit numëron me mijëra aplikime dhe mbi 1,800 individë që janë trajnuar.
Të rinjtë gjatë takimit (Foto Ministria e Shtetit pët Rininë dhe Fëmijët)
Ky program është i hapur për cilindo nga mosha 16 vjeç e lart, qoftë për nxënës, studentë, të punësuar, apo të papunë.
Ai nuk kërkon njohuri të mëparshme në fushën që kërkohet të vijohet kursi profesional. Megjithatë për t’u pranuar si pjesë e kurseve të kodimit, cilido i interesuar duhet të bëhet pjesë e një testimi logjik, sipas kritereve të akademisë së kodimit që ka përzgjedhur, me qëllim përfitimin e kursit të formimit profesional.
Deri tani, kurset mundësohen nga katër akademi kodimi me eksperiencë në treg dhe që janë njëkohësisht të miratuara nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive.
Mbështetja qeveritare nuk do të mungojë për arsimin profesional në tërësi, e sidomos për profilet e teknologjisë. Synimi i qeverisë është që të rinjtë të jenë pjesë integrale e një komuniteti mbarëbotëror zhvilluesish dhe punëdhënësish, duke punuar për kompanitë më të mira të programimit.