Dita e trashëgimisë kulturore (Foto Meteoalb)
Që prej vitit 2003, 29 shtatori përkujtohet në Shqipëri si Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, shkruan ATSH. Në qendër të kësaj dite qëndron përkushtimi dhe sakrifica e të gjithë atyre që kanë kontribuar në formimin dhe studimin e kësaj trashëgimie, e po aq edhe vepra dhe jeta e atyre që janë sakrifikuar drejtpërsëdrejti për të.
Në shpalljen e kësaj Dite Kombëtare si të Trashëgimisë Kulturore ka ndikuar edhe akti sublim i ushtarakut shqiptar Kamber Bënja, një veprimtar i lëvizjes atdhetare shqiptare, i cili në vitin 1916 mbrojti pasuritë e Apolonisë nga vjedhja.
Me Shpalljen e Pavarësisë, Bënja u vu në shërbim të Qeverisë Kombëtare të Vlorës si oficer i karrierës. Kamber Bënja mori komandën e batalionit shqiptar duke iu kundërvënë me vendosmëri pushtuesve austro-hungarezë që kërkonin të grabisnin pasuritë kulturore të vendit dhe të dërgonin në Vjenë skulptura antike të gjetura gjatë gërmimeve. Për këtë arsye, Kamber Bënja bashkë me dy oficerë të tjerë, Bexhet Manastirliun dhe Abaz Taushanin, iu dhanë gjyqit ushtarak që e dënoi me vdekje për “tradhti të lartë”.
Në Shqipëri Major Kamber Bënja, është shpallur Dëshmor i Atdheut.(Fatosi)