Serenata korçare në funksion të turizmit, mbahet festivali i parë
2024-09-30 11:01:01

Festivali i serenatave (Foto RTSH)

Festivali i serenatave (Foto RTSH)

Edicioni i pare i Festivalit Ndërkombëtar të Serenatës, është mbajtur fundjavën e kaluar në Korçë, shkruan rtsh.al .  I ideuar dhe realizuar nga Bashkia e këtij qyteti, festivali pritet të kthehet në një traditë të përvitshme, si dhe një nga festivalet më të rëndësishme të kalendarit kulturor vjetor të Korçës.

Serenatat korçare janë të njohura për të gjithë shqiptarët dhe të kënduara prej një shekulli e gjysmë. Por organizimi i një festivali dedikuar serenatave, synon që të tërheqë më shumë turistë jashtë sezonit të lartë turistik dhe njëkohësisht të ruajë dhe kultivojë vlerat e serenatës si një pasuri kulturore e këtij qyteti. Ky festival synon ta sjellë serenatën korçare në dy versione, atë tradicionalen dhe të përpunuarën.

Serenatat janë këngë që lindën si dedikime dashurie rrugicave të qytetit të Korçës e që luheshin me kitarë e mandolinë poshtë dritareve të vajzave, ndaj të cilave shprehnin dashurinë.(Fatosi)