Nga e dobët në e fortë, ekonomia kineze arrin zhvillim kapërcyes në 75 vjet
2024-09-30 10:52:19

Foto nga VCG

Qysh prej krijimit të Kinës së Re, veçanërisht pas zbatimit të politikës së Reformës dhe Hapjes e Kongresit të 18-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës, ekonomia kineze ka kaluar nga gjendja e prapambetur deri në shndërrimin në ekonominë e 2-të për nga madhësia në botë, duke pasur një zhvillim kapërcyes. Qoftë në tregti, qoftë në investime, Kina ka një status me ndikim të madh në ekonominë botërore. Pas 75 vjetëve, ekonomia e 2-të e botës, tani me fuqi të plotë, po nxit zhvillimin me cilësi të lartë, duke ecur drejt shndërrimit të Kinës në një vend të fuqishëm socialist modern.

 

Në fillim të krijimit të Kinës së Re, baza ekonomike e Kinës ishte shumë e dobët dhe GDP-ja në vitin 1952 ishte vetëm 30 miliardë dollarë amerikanë. Pas përpjekjeve të vazhdueshme, ekonomia kineze ka arritur një zhvillim të shpejtë dhe prodhimi i përgjithshëm ekonomik i Kinës renditet ndër vendet e para në botë. Në vitin 1978, GDP-ja e Kinës shënoi vlerën 149.5 miliardë dollarë, duke përbërë 1.7 % të ekonomisë botërore. Që nga Reforma dhe Hapja, prodhimi i përgjithshëm ekonomik i Kinës ka vazhduar të zgjerohet dhe përqindja e saj në ekonominë botërore është rritur ndjeshëm, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në rritjen globale.

 

Nga viti 1979 deri më 2023, ekonomia kineze është rritur me një ritëm mesatar vjetor prej 8.9 %, shumë më e lartë se rritja mesatare e ekonomisë botërore që ishte 3 %, dhe kontributi i saj mesatar vjetor në rritjen ekonomike botërore është 24.8 %, duke u renditur në vendin e parë të botës. Që nga Kongresi i 18-të Kombëtar i PKK-së, vëllimi i përgjithshëm ekonomik i Kinës është ngjitur në një nivel të ri, duke arritur në 10.5 trilionë dollarë në vitin 2014 dhe 17.8 trilionë dollarë vjet, duke zënë 16.9 % të vëllimit të përgjitshëm të ekonomisë botërore. Kjo rritje është 5.6 pikë përqindjeje më shumë se në vitin 2012 dhe renditet në vendin e 2-të të botës.

 

Foto nga VCG

Edhe në sektorët e industrisë e të bujqësisë, Kina ka shënuar një ndryshim mjaft të madh. Më 1952, vlera e shtuar industriale dhe bujqësore ishte vetëm përkatësisht 6.23 miliardë dollarë dhe 15.1 miliardë dollarë. Me këmbënguljen në zhvillimin e pavarur, prodhimi industrial e bujqësor i Kinës ka pasur përparim të madh, duke u krijuar një sistem i plotë industrial. Në vitin 1978, vlera e shtuar në sektorët e bujqësisë, industrisë e shërbimeve ishte përkatësisht 41.4 miliardë, 71.4 miliardë dhe 36.8 miliardë dollarë, ose 2.7 herë, 11.5 herë dhe 4.3 herë më shumë se në vitin 1952.

 

Qysh nga zbatimi i politikës së Reformës dhe Hapjes, industria e Kinës është futur në shinat e zhvillimit të shpejtë. Kina, në vetëm disa dekada, ka përfunduar procesin e industrializimit për të cilin vendeve të zhvilluara u është dashur qindra vjet. Pas Kongresit të 18-të, sektori industrial dhe ai i shërbimeve njohën rritje të dukshme në cilësi. Vitin e kaluar, vlera e shtuar industriale ishte 6.8 trilionë dollarë, prej të cilit sektori i prodhimit shënoi vlerën 4.7 trilionë dollarë, duke u renditur për 14 vjet radhas në vendin e parë të botës. Tani sektori i industrisë me teknologji të lartë po zhvillohet shpejt. Niveli teknologjik i makinave me energji të reja dhe smartfonave zë vendet e para të botës. Edhe sektori i shërbimeve ka rritje të qëndrueshme dhe në tregun ndërkombëtar, statusi i Kinës në këtë sektor po bëhet më i fortë. Më 2023, vlera e shtuar në sektorin e shërbimeve arriti në 9.7 trilionë dollarë.

 

Foto nga VCG

Infrastruktura është një sektor tipik që pasqyron zhvillimin gjigant të Kinës. Në fillim të krijimit të Kinës së Re, infrastruktura e vendit ishte në një gjendje vërtet të rrënuar, çka kishte kufizuar shumë zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e jetesës së popullit. Pas përpjekjeve të pandërprera, në vitin 1978, gjatësia e përgjithshme e rrjetit hekurudhor e rrugor dhe numri i përgjithshëm i telefonave fiksë u rritën përkatësisht në 52 mijë e 890 mijë km dhe në 1.93 milionë, 2.4 herë, 11 herë dhe 8.8 herë më shumë se në 1949.

 

Pas Reformës dhe Hapjes, ndërtimi infrastrukturor i Kinës është futur në fazën e artë. Më 2008, gjatësia e përgjithshme e hekurudhave arriti në 80 mijë km, vendi i 2-të në botë. Në vitin 2012, gjatësia e përgjithshme e hekurudhave dhe e rrugëve, si edhe numri i telefonave fiksë kanë arritur përkatësisht në 98 mijë e 4.24 milionë km, dhe në 280 milionë.

 

Qysh prej Kongresit të 18-të, sektori i infrastrukturës është zhvilluar mjaft shpejt. Deri në fund të vitit 2023, gjatësia e përgjithshme hekurudhore dhe rrugore arriti përkatësisht në 159 mijë km dhe 5.44 milionë km, kurse gjatësia e përgjithshme e hekurudhës së shpejtë dhe autostradave ishte përkatësisht 45 mijë km dhe 184 mijë km, duke u renditur në vendin e parë të botës. Në 2023, niveli i përhapjes së telefonave të lëvizshëm arriti në 123 për 100 veta dhe niveli i mbulimit me internet në 77.5 %. Për sa i përket numrit të përdoruesve të telefonisë së lëvizshme dhe të përdoruesve të bandës së gjerë të lëvizshme Kina renditet në vendin e parë të botës. Tani në Kinë është formuar rrjeti më i madh në botë i bandës së gjerë të lëvizshme.

 

Foto nga VCG

Në fillim të krijimit të Kinës së Re, Kina ishte e varfër dhe e dobët dhe shumica e njerëzve jetonin nën nivelin e varfërisë. Edhe në ditët e para të Reformës dhe Hapjes, sipas standardit të varfërisë të vitit 2010, niveli i varfërisë në zonat rurale në Kinë në fund të vitit 1978 ishte 97.5 %.

 

Pas Reformës dhe Hapjes, Kina zbatoi një politikë të planifikuar, duke synuar zbutjen e varfërisë dhe zhvillimin, ndërsa numri i të varfërve u zvogëlua shumë. Në fund të vitit 2012, përqindja e varfërisë rurale në Kinë ra në 10.2 %, 87.3 pikë përqindjeje më pak se në vitin 1978. Që nga Kongresi i 18-të i PKK-së, Komiteti Qendror me sekretarin e përgjithshëm Xi Jinping në krye, e ka vënë gjithmonë zbutjen e varfërisë në një pozicion të dukshëm në qeverisje dhe ka bërë çdo përpjekje për të fituar betejën më të madhe kundër varfërisë në historinë e njerëzimit.

 

Foto nga VCG

Deri në fund të vitit 2020, 832 konte të varfra dhe afro 100 milionë banorë të varfër ruralë në të gjithë Kinën janë nxjerrë nga varfëria, dhe më shumë se 9.6 milionë veta u zhvendosën nga zonat e varfra, duke zhdukur varfërinë absolute. Kina ka kontribuuar për mbi 70 % të pakësimit të varfërisë në shkallë botërore, duke dhënë ndihmesë të rëndësishme në uljen e varfërisë globale.

 

75 vjet është një periudhë e gjatë. Me përpjekje të palodhshme, Kina ka shënuar një histori të mrekullueshme në ekonominë e vet kombëtare dhe në ekonominë botërore, duke ndikuar thellësisht në situatën globale. Më pas, me thellimin e gjithanshëm të reformave dhe hapjes, me ndërtimin e shpejtë të modelit të ri të zhvillimit dhe me nxitjen e fuqishme të zhvillimit me cilësi të lartë, Kina do të vijojë të përpiqet për përmirësimin e jetesës së popullit, për nxitjen e modernizimit të stilit kinez dhe për ripërtëritjen e madhe të kombit kinez. (Jiang Lei)