Keta Premti: Ëndrra ime të hap një ekspozitë pikture
2024-09-30 10:36:49

Artistja bashkëkohore Keta Premti jeton prej 29 vitesh në Miçigan të SHBA-së. Ajo aktualisht është e punësuar në një kompani që merret me dhënien e pronave me qera dhe e bën këtë punë me pasion dhe përkushtim. Vitet e fundit ajo zbuloi pasionin për  pikturën. Zhanri i saj krijues është arti bashkëkohor dhe nudo. Për Ketën bukuria femërore është ekzistenca e humanizmit, por në pikturat e saj gjithashtu spikasin edhe larmia e ngjyrave. Krijimtaria për Ketën eshtë jo vetëm si një terapi dhe hobi, por tashmë është kthyer edhe në një pasion. Në një intervistë për Radio Ejani ajo tregon për pasionin e saj për pikturën, si dhe fuqinë e artit si terapi, si komunikim profesional e shpirtëror me publikun.

Artistja Keta Premti (Foto personale)

Artistja Keta Premti (Foto personale)

CMG: Prej sa vitesh jeton në SHBA dhe si je integruar me jetën atje?

Keta Premti: Unë kam pothuajse 29 vite që jetoj në SHBA në shtetin Miçigan. Integrimi, si të gjithë shqiptarët që lëvizën në tokë të huaj, fillimi ka qenë pak i vështirë, duke filluar që nga gjuha, kultura e re dhe mentalitet i ri. Pastaj integrimi fillon me mësimin e gjuhës dhe shkollimin, varet kë zgjidh ti primare në ato fillime.

CMG: Cili është angazhimi juaj me punë në SHBA?

Keta Premti: Unë punoj për një kompani që administron prona të dhëna me qera. Kam disa vite me këtë punë. SHBA të jep shumë mundesi, me njohje dhe me lidhje nëse je i zoti i merr këto mundesi, duke i vënë në jetë për të siguruar jetën tënde. Puna më pëlqen, sepse nëse nuk e pëlqen punën që bën të bëhet dhe dita e vështirë.

CMG: Si është për ty të bësh art në një vend të huaj?

Keta Premti: Unë mendoj se nuk ka rëndesi se ku e bën artin, por e rëndësishme është se çfarë përcjellë arti yt. Unë bëj një art kontemporan dhe duke qenë se kam shumë kohë në Miçigan, mendoj se tashmë ky vend nuk është i huaj për mua. Unë jam shqiptare dhe do jem shqiptare deri në momentet e fundit që do largohem nga kjo botë. Unë e shikoj Shqipërinë si vendin e lindjes dhe fëmijërisë, kurse SHBA-në e shikoj si vendin e rritjes, të pjekurisë dhe të zhvillimit, sepse mua ky vend më hapi derën si të gjithë shqiptarëve. Mua Amerika më dha emrin nënë, sepse është vendi i lindjes së fëmijës tim, por më dha dhe miq që mu bënë familje, më dha gëzime, por dhe pësime që mu bënë mësime.

Keta Premti (Foto personale)

Keta Premti (Foto personale)

CMG: Nga të vjen frymëzimi gjatë kreativitetit në pikturë?

Keta Premti: Unë bëj një art kontemporan, dhe historia ime është pak e çuditëshme, sepse e kam zbuluar talentin tim në një moshë pak a shumë të madhe. Unë nuk kam vizatuar kurrë në jetën time. Kam pothuajse tre vjet që e ushtroj këtë hobi. Filloi thjesht një terapi në kohën e pandemisë, për të kaluar atë gjendjen psikologjike që çdo person në këtë botë e kaloi, që ishte shumë e vështirë për të gjithë ne. Kështu që nga një terapi mu bë një hobi dhe nga një hobi një pasion. E kam filluar me nudo. Më pëlqen anatomia, trupi femëror, sepse femra është ekzistenca e humanizmit, është gjëja më e bukur që mund të ekzistojë. Në punët e mia spikasin një larmi ngjyrash, konturet dhe detajet dhe si natyrë janë shumë detajiste. Jam inspiruar nga jeta ime e përditëshme, nga mikeshat e mia që më rrethojnë, nga piktorë të njohur shqiptarë dhe të huaj.

Piktura te realizuara nga Keta Premti (Foto personale)

Piktura te realizuara nga Keta Premti (Foto personale)

CMG: Çfarë raporti ka krijimi juaj me Shqipërinë tani që nuk jeton këtu?

Keta Premti: Kur kam filluar të tregoj artin tim, gjithmonë fillon me median sociale që është një format kohor sot, sepse çdo gjë ekspozohet në rrjetet sociale. Kam pasur komplimente, por dhe korrektime nga miqtë, nga artistë të panjohur që i kam marrë dhe si një shkollë arti në vetvete. Ndërkohë që miqtë që kam në Shqipëri më kanë ofruar që të prezantoj punët e mia në galeritë e artit që ndodhen në Shqipëri. Jam duke e parë si propozim, shpresoj që një ditë t’i ekspozoj punimet e mia edhe atje.

Keta Premti duke pikturuar (Foto personale)

Keta Premti duke pikturuar (Foto personale)

CMG: Mendon se është spontane, apo duhen mendime paraprake për të nisur një pikturë?

Keta Premti: Mendoj se asnjëherë njeriu nuk e di kapacitetin për të bërë diçka të bukur, deri në momentin që e bën. Patjetër që dhe mendimet për të nisur një punë janë paraprake, por të qenurit spontan unë e gërshetoj me gjendjen shpirtërore emocionale për momentin, që më jep dhe motivimin për të nisur punën. Ajo është shkëndija e parë që unë marr penelin dhe filloj diçka.

Pikture e realizuar nga Keta (Foto personale)

Pikture e realizuar nga Keta (Foto personale)

CMG: Sa të ndihmon arti emocionalisht, për të përballuar sfidat që mund të keni?

Keta Premti: Nuk ka rëndësi se ku e bën artin, por rëndësi ka se çfarë mesazhi përcjell. Për mua arti filloi si një terapi dhe vazhdon të jetë si një terapi. Arti mua më ndihmon që të përballoj sfidat ditore, që mua jeta më jep këtu ku jam.

CMG: Mendon se është një shans në jetën tuaj të keni hob artin, sepse arti frymëzon, arti shëron?

Keta Premti: Patjetër, arti për mua do vazhdojë të më shërojë emocionalisht dhe të më ndihmojë të përballoj sfidat e jetës.

Pikture e realizuar nga Keta Premti (Foto personale)

Pikture e realizuar nga Keta Premti (Foto personale)

CMG: Thuhet që piktori krijon në frymëzim dhe nuk pretendon që stili të kuptohet dhe të pëlqehet nga të gjithë. Mendoj se janë afruar disa artdashës që pëlqejnë stilin tuaj, një stil global?

Keta Premti: Unë bëj një art kontemporan dhe e them me modesti që pikturat e mia kuptohen shumë lehtë. Kam një stil që më dallohen shumë konturet, kam një stil që më pëlqen larmia e ngjyrave. Gjëja e parë që sheh te arti im janë ngjyrat, të cilat japin një bukuri artit. Jetën duhet ta shohësh me ngjyra, jo bardhë e zi. Kështu që dhe pikturat e mia karakterizohen nga ngjyrat dhe konturi.

Deri tani stili im kuptohet edhe nga fëmija, që kur e sheh pikturën time apo vizatimin tim, ti e kupton menjëherë se çfarë kam dashur të shpreh atje. Kam pasur mosbesim tek vetja dhe dilema. Unë nuk jam artiste profesionale, por e gjej veten tek artistët amatorë. Edhe pse unë kam filluar të pikturoj këto tre vitet e fundit dhe nuk e quaj veten profesioniste, por vazhdoj dhe ushtroj sa herë që kam mundësi dhe sa herë që mendoj që puna ime më shëron mua personalisht, kënaq syrin e miqve dhe të publikut.

Momentalisht unë po shijoj vetëm bukurinë e punës time. Nuk e shoh si diçka që të përfitoj financiarisht nga kjo punë, por thjesht po shijoj atë talent që unë e zbulova në një moshë pjekurie.

Pikture nga Keta Premti (Foto personale)

Pikture nga Keta Premti (Foto personale)

CMG: Ke në planet të afërt organizimin e ndonjë ekspozitë në SHBA apo Shqipëri?

Keta Premti: Ëndrra ime është që të hap një ekspozitë të vogël për miqtë, familjen, dhe sidomos për miqtë e mi që më kanë mbështetur që në ditën e parë. Për mua mbështetja nga miqtë ka qenë si një shkollë arti në vetvete.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Keta Premti: Së pari të falenderoj për intervistën dhe konsideratën për mua. Gjithashtu falenderoj të gjithë miqtë e mi të afërt dhe të largët, që më kanë mbështetur që në hapat e mia të para.

Intervistoi: Gazmend Agaj