Foto nga Balkanweb
Kryeministri shqiptar Edi Rama ka publikuar nē rrjetet sociale foto nga takimet e zhvilluara në New York ku mori pjesë edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, njofton ATSH. Rama shprehet krahas fotoalbumit se kjo ishte një vizitë krenarie për Shqipërinë në Javën e Kombeve të Bashkuara në New York.
Kreu i qeverisë shqiptare mbajti një fjalim në ditën e dytë të sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me temë “Samiti për të Ardhmen”. Rama foli për mundësitë dhe disavantazhet që na përball teknologjia në këto kohë moderne dhe sfidash të reja, në sesionin me temë: “Dialogu për të ardhmen digjitale”.
Gjatë vizitës së tij në SHBA, Kryeministri Rama mori pjesë në eventin e organizuar nga organizatat hebreje dedikuar Shqipërisë dhe rolit kryesor të Kryeministrit Edi Rama në promovimin e unitetit midis vendeve të Ballkanit dhe përpjekjet e tij të përkushtuara në mbrojtjen e të drejtave dhe historive të komuniteteve pakicë, përfshirë hebrenjtë. Me ftesë të aktivistit shqiptar dhe kreut të Këshillit Kombëtar të Diasporës Mark Gjonaj, Rama zhvilloi një bashkëbisedim edhe me përfaqësues të shoqatave shqiptare në Amerikë.(Fatosi)