Ministri Malaj (Foto ATSH)
Ministi i Financave, Petrit Malaj ka deklaruar se qeveria parashikon 65 miliardë lekë rritje të ardhurash deri në vitin 2027, njofton RTSH. Deklaratën Malaj e bëri gjatë mbledhjes së Këshillit Tatimor, u prezantua draft- Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, 2024-2027, në kuadër të procesit të konsultimit publik të saj.
Drafti i Strategjisë është konsultuar dhe dakordësuar me Bashkimin Europian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ai përbën një parakusht që Shqipëria duhet të plotësojë në kuadër të instrumentit të Bashkimit Evropian “Faciliteti për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor”. Ministri i Financave theksoi se strategjia ka si objektiv kryesor rritjen e nivelit të mbledhjes së të ardhurave, nëpërmjet miradministrimit fiskal.
“Nëpërmjet kësaj strategjie ne parashikojmë rritjen e të ardhurave me rreth 65 miliardë lekë deri në fund të vitit 2027 ose 2.5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto krahasuar me vitin 2019, ku peshën kryesore e kanë masat që do të merren nëpërmjet miradministrimit tatimor dhe doganor”, u shpreh ministri Malaj.(Fatosi)