Agjencia franceze e lajmeve (Foto ATSH)
Agjencia franceze e lajmeve “Agence France-Presse” (AFP) është goditur nga një sulm kibernetik, tha të shtunën agjencia në një deklaratë, njofton rtsh.al.
Sulmi ndaj sistemit IT të AFP-së, i cili ndikoi pjesërisht në teknologjinë e transmetimit te klientët, u zbulua të premten. Nuk dihet se kush qëndron pas sulmit.
“Departamenti teknik i AFP-së, i ndihmuar nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e Francës (ANSSI), po merret me hetimin e incidentit”, tha agjencia.
Megjithëse sulmi dëmtoi përkohësisht transmetimin, raportimi i AFP-së në mbarë botën vazhdoi si zakonisht. Sulmi ndaj agjencisë së lajmeve pasoi një incident të madh kibernetik në mars, i cili preku disa ministri dhe institucione shtetërore franceze.
Hakerët pro-rusë morën përgjegjësinë për sulmin, megjithëse autoritetet franceze nuk e konfirmuan këtë në atë kohë. Franca akuzon Rusinë për rritje të përpjekjeve për destabilizim që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Kremlini në shkurt të vitit 2022.
Agjencia shtetërore polake e lajmeve PAP u hakerua gjithashtu në maj dhe qeveria në Varshavë fajësoi shërbimet e inteligjencës ruse për incidentin. (Fatosi)