IDF godet pozicionet e Hezbollahut
2024-09-30 15:18:49

foto VCG

Ushtria izraelite deklaroi se kishte sulmuar sërish pozicionet e milicisë së Hezbollahut në Liban gjatë natës të së shtunës duke u gdhirë e dielë, njofton ATSH. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se forcat ajrore kishin sulmuar “dhjetëra objektiva terroristë” në Liban në orët e fundit.

IDF tha se objektivat përfshinin platforma lëshimi në territorin izraelit, depo armësh dhe infrastrukturë tjetër të lidhur me milicinë shiite pro-iraniane.

Ndërkohë, sirenat u dëgjuan sërish në Izraelin verior gjatë natës, sipas ushtrisë.

IDF tha se qindra pozicione të Hezbollahut në të gjithë Libanin ishin në shënjestër gjatë gjithë ditës.

Izraeli tani duket i gatshëm të nisë një inkursion tokësor në Liban, pasi shefi i ushtrisë Herzi Halevi tha të shtunën se forcat e tij ishin të përgatitura për atë që do të vinte dhe banorëve libanezë iu tha të vrapojnë drejt sigurisë.

Ushtria izraelite vrau liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah në një sulm ajror në një seli të Hezbollahut në një periferi të Bejrutit të premten, në atë që shënoi një përshkallëzim dramatik në konfliktin midis dy palëve.

Frika se sulmet e ndërsjella midis Izraelit dhe Hezbollahut mund të përshkallëzohen në luftë gjithëpërfshirëse janë rritur që kur Izraeli nisi një fushatë masive ajrore ndaj objektivave të Hezbollahut në të gjithë Libanin të hënën, duke vrarë qindra njerëz deri më tani.(Fatosi)