Kledis Rexho: Rrugëtimi artistik,misioni pedagogjik dhe koncerti i fundit
2024-09-29 14:59:40

Kledis Rexho, violinisti dhe drejtuesi i "Life and Music Concept Orchestra", ka prezantuar gjatë këtij muaji një koncert emocionues në sheshin "Nënë Tereza" në bashkëpunim me muzikantë profesionistë të muzikës klasike në Shqipëri. Kledisi, i lindur në Elbasan, ka filluar studimet për violinë në shkollën artistike të muzikës "Onufri" në vendlindje dhe ka vazhduar studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë. Në vitin 2008, Kledis shkoi në Francë ku ka bashkëpunuar me muzikantë dhe profesorë të njohur. Ai ka performuar me orkestra të njohura si Filarmonia e Monaco-s, Radio France, Filarmonia e Nices, dhe ka pasur rastin të bashkëpunojë me artistë të nivelit botëror si Tan Dun, Paavo Järvi, Emmanuel Krivine, Yuja Wang, Franz Peter Zimmermann dhe shumë të tjerë. Në një intervistë për Radio Ejani, Kledis Rexho rrëfen për rrugëtimin e tij artistik trashëguar nga mamaja e tij soprano Lili Rexho, duke ndarë me dëgjuesit përvojat dhe momentet më të rëndësishme në karrierën e tij muzikore.

Kledis Rexho në koncert  me studenten Elena Lamnica  (Foto CMG)

Kledis Rexho në koncert  me studenten Elena Lamnica  (Foto CMG)

CMG: Kledis, në koncertin e fundit  bashkë me orkestrën ke interpretuar nga muzika baroke, muzika e filmave deri tek muzika rrok e AC/DC. Na trego më shumë për këtë.

Kledis Rexho: Duke qenë muzikant në skenë, ne e ndjejmë energjinë e publikut.Së pari dua të falenderoj publikun sepse ka qenë i shumtë, ka qenë publiku i cili po kalonte tek sheshi "Nënë Tereza", ndaluan, na ndoqën deri në fund të koncertit, madje dhe na takuan. Falenderoj mbështetësit e këtij projekti, "Harabel Contemporary Art Platformë" dhe ABI bank, pa të cilët nuk mund ta bënim këtë koncert. Ky koncert mes muzikantëve të orkestrës dhe këtij publiku kaq entuziast, falë organizatorëve, bëri që në finale të ishte një sukses i garantuar.

CMG: Violinisti im i preferuar botëror David Garrett, ndërthur shumë bukur lojën mes muzikës klasike dhe muzikës rrok. Më vjen mirë që për herë të parë në Shqipëri ndoqa Vivaldin në versionin rrok. Përse e solle pikërisht Vivaldin rrok?

Kledis Rexho: Ky projekt ashtu si dhe orkestra ka kasketa të ndryshme, një nga këto kasketa janë dhe ato eksperiementet që ne bëjmë, por nga ana tjetër janë një lloj kënaqësie për të dalë pak nga zona jonë e komfortit të muzikës klasike të mirëfilltë duke luajtur Mozart, apo muzikë baroke. Jam shumë i dhënë për ta ndarë me ansamblin atë që kemi ndërtuar dhe një nga këto kasketa është gjithashtu muzika alternative, ku ndërthurret mes muzikës klasike dhe asaj moderne.

Kur kam qenë me një orkestër në Francë, ishte konkursi i parë që kam fituar, pas një periudhe që bëja mësim. Pasi bëra këtë konkurs me një ansambël shumë të njohur në Francë, i cili ka fituar  konkursin “Fitoret e muzikës”, ku çdo vit fitojnë ansamblet më të mira, muzikantët më të mirë, solistët apo regjistrimet më të mira. Shkova dhe e fitova konkursin. Është një moment që nuk do e  harroj asnjëherë, pasi ishte një konkurs shumë ndryshe nga të tjerët. Dirigjenti dhe violinist erdhi më pas tek unë, ndërsa unë isha duke luajtur Mozartin, ai erdhi duke kënduar, për të parë nëse unë do reagoja, por shkoi çdo gjë mirë. Më pas ai më tha; “Kledis, do të shkojmë në Salzburg sepse kemi një koncert klasik, por në fund do luajmë “Vivaldi rrok”.

Në të vërtetë nuk e kisha dëgjuar asnjëherë, herën e parë që e luajtëm ishte një ‘shok’ për mua, nuk dija çfarë të mendoja, nëse ishte pozitive apo negative kjo gjë. Më pas e kemi luajtur “Vivaldin rrok” në Moskë, në New York, dhe aty kemi një histori të bukur. Ky ansambël luan muzikë baroke, unë kam luajtur tre vite rradhazi dhe muzikantët barokë, bëjnë shumë improvizive. Këtë improviziom drejtuesi e bënte tek “Vera” e Vivaldit dhe ka patur improvizive të ndryshme dhe kudo ku kemi shkuar publiku na ka pritur shumë mirë.

Kledis Rexho në koncert me orkestrën (Foto CMG)

Kledis Rexho në koncert me orkestrën (Foto CMG)

CMG: Kjo mendoj se është një mënyrë e mirë për të afruar edhe atë publik që nuk e njeh muzikën klasike. Mendon se dhe rroku ka një lidhje të fuqishme me muzikën klasike?

Kledis Rexho: Unë mendoj se ndoshta është një lloj hezitimi sepse ne me “Verën” e Vivaldit jemi rritur. E kemi dëgjuar në ndonjë reklamë televizioni, por një publik i veçantë nuk shkon tek sallat e mbyllura, prandaj dhe ne zgjodhëm që  ta bënim koncertin në një sallë të hapur. Ideja ishte të sillnim Vivaldin në këtë mënyrë, siç është në origjinal, por unë bëra disa improvizime, ashtu siç bën një muzikant barok,  shtuam një ritëm në bateri dhe disa akorde në kitarë. Kjo tregon dhe fuqinë e kompozimeve të botës klasike, baroke, që ambjentohen kaq mirë me muzikën rrok, mund të ndërthurren kaq lehtë së bashku. Kjo ishte vetëm një kasketë e programit tonë, pasi programi atë natë kishte muzikë baroke, muzikë të Pjetër Gacit, të orkestruar nga Armand Broshka, kishim muzikë filmi, pra kemi bërë një rrugëtim të gjatë.

CMG: Le të ndalemi tek misioni juaj pedagogjik. Ky koncert kishte artistë profesionist ndër to edhe Albi Binjakun, me të cilin pate dhe një duet. Por pjesë e kësaj orkestre janë bërë edhe dy talente të reja Marla dhe Elena, të cilat kanë interpretuar edhe si soliste. Na trego  për këtë mision pedagogjik dhe synimin tënd

Kledis Rexho: Për ne misioni pedagogjik është pjesa më e rëndësishme e gjithë projektit. Që kur filloi ky projekt, erdhi pas një telefonate  të gjatë që kam  bërë me Nevila Dude, që është presidente nderi e projektit, ku për një orë kemi folur në tel për pjesën pedagogjike. Kjo është shumë e rëndësishme, për të promovuar artistët e rinj në skenë sepse skena është shkollë e dytë për ta.

Pjesa tjetër është dhënia e Master- Clasave jo vetëm nga profesorë shqiptarë, nga unë personalisht, por edhe nga profesorë të huaj. Për ata studentë që duan të integrohen në shkollat ndërkombëtare, ne mundohemi t’u japim këshilla për logjistikën, për integrimin e tyre. Që kur filluam festivalin “Violina  e paqes” në vitin e parë ne patëm akademisten tonë të parë, Vesa Dume, për të cilën unë jam shumë krenar. Vesa ishte vetëm 10 vjeçe në atë kohë dhe kur kam fulur me mamanë e saj, tashmë pas dy viteve, ajo po luan në një nga teatrot më të rëndësishme në Francë, në mes të Parisit. Gjithashtu kam fatin që kam njohur profesoreshën e Marlës dhe të Elenës, Vera Tego, sepse pa patur bashkëpunimin me profesorët, ne nuk mund të bëjmë asgjë.

Artisti Kledis Rexho në intervistë pë Radio Ejani

Artisti Kledis Rexho në intervistë pë Radio Ejani

Ne bëjmë aq sa mundemi, por me Vesën ne krijuam një lloj sinergjie totale që edhe muzikantët e artdashësit edhe pa patur një rol në projekt, kanë dashur të jepnin kontributin e tyre, qoftë me një këshillë, me një ide, etj. Vesa fitoi shkollën në mes të Parisit mes 60 kantidatëve,ku fituan 5 apo 6 persona, të cilët ishin nga Franca deri në moshën 21 vjeçare.

CMG: Ju momentalisht po punoni me dy studente të talentuara si Marla dhe Elena. Por a do ta kenë edhe këto shkëlqimin e tyre në skenat ndërkombëtare?

Kledis Rexho: Patjetër me punën që po bëjnë. E rëndësishme është të kenë vullnet, punë dhe dëshirë. Marla që në muajin prill kur ne zhvilluam një koncert në Akademinë e Shkencave, në bashkëpunim me Komisionin e Artit, i dhamë mundësinë që të luante për herë të parë me një orkestër profesioniste. Orkestra ka muzikantë profesionistë që janë spala të orkestrave të radio televizioneve, të operas, ka edhe muzikantë që vijnë nga jashtë, si nga Lodra, Parisi, Rumania, dhe për to është një shkollë. Këtë herë i dhamë mundësinë që të luanin në shesh të hapur, “Nënë Tereza” dhe unë pata fatin të luaja me to, sepse ndjej atë energjinë, atë dëshirën, ato mësuan pjesën shumë shpejt dhe jam shumë i lumtur për këtë. I falenderoj njëkohësisht edhe muzikantët e tjerë që kanë marrë pjesë në këtë orkestër.

CMG: Në koncertin e fundit  luajte pranë Univesitetit të Arteve, pranë dritares ku ke studiuar 14 vite më parë. Si ishin emcionet, kur mendon se dikur ishe aty student, e sot me një orkestër profesioniste?

Kledis Rexho: Ne luajtëm tek hyrja e Universitetin të Arteve në shesh të hapur dhe shpresoj që një ditë të luaj edhe brenda sallës së universitetit, që ka një histori të madhe. Kur luaja në skenë ktheja kokën nga dritarja ku përkonte klasa ime dikur. Më kujtohen orët e gjata të punës me profesor Bujarin, ku unë dhe Albi Binjaku kemi qenë në të njëjtën klasë, ku ziheshim se kush do të bënte mësim i pari. Sigurisht që është një emocion, është një privilegj, është një përgjegjësi, është një institucion ku aty kanë hyrë ikonat e muzikës shqiptare dhe jam shumë i lumtur që luajtëm aty.

CMG: Kthehemi pak në retrospektive, 14 vite më parë, kur pas studimeve shkove në Francë. E pasi trokite në një derë, aty nisi dhe karrierra jote artistike jashtë vendit.

Kledis Rexho: Një ditë para se të shkoja në Francë për të punuar me një orkestër të rinjsh nga mesdheu, më saktë një natë më parë u ulëm me profesor Bujarin në ato shkallë të universitetit. Aty diskutuam për Francën, pasi profesori e njihte mirë pasi ka punuar si koordinator me orkestra të ndryshme. Dhe që në atë moment nisi brenda meje dëshira. Fillova të bëhesha gati për të shkuar në Francë. Më pas shkova në Nice, ku bëm koncertin me orkestrën rinore dhe nga fundi i kësaj eksperience po më pëlqente kaq shumë. Ishim në plazh, i cili ishte i mrekullueshëm, u ndjeva mirë me muzikantë me kombësi të ndryshme. Ndërsa ishim rreth 30 persona aty në plazh, çohem dhe pyes; “Si mund t’ja bëj që të rri në Francë?”, shumica filloi të qeshte sepse nuk e mori seriozisht, por një vajzë e kuptoi që e kisha seriozisht këtë kërkesë dhe ajo ishte Emili. Ajo më tregoi se të nesërmen zhvilloheshin Master-Clase nga Akademia e Nicës dhe aty është një profesoreshë e njohur nga Lioni.

Unë ndërkohë me Emilinë flisja italisht, sepse nuk dija frëngjisht, dija vetëm dy fjalë “Je t'aime” dhe “Je veux”. Në fakt muzikantët më thonin nuk është shumë klas të thuash “Je veux”, pra “dua”, por më korigjonin duke më thënë t’i drejtohesha “je voudrais”, pra “do të doja”, por unë kënbëngulja thjeshtë dhe shkurt “Je veux”. Shkova tek profesoresha, ajo u çudit, por më ftoi të shkoja të nesërmen në mëngjes në orën 7.15. Kisha një muaj që bëja festa me orkestrën dhe atë mbrëmje kam punuar gjithë natën, mund të kem fjetur vetëm një orë. Shkova në mëngjes dhe profesoreshë Natalie erdhi në 7.20. Nisëm menjëherë mësimin, por nuk po e kuptoja mirë, por aty ishte djali i muzikantit Florian Vlashi, ku po bënte Master -Clase me profesoreshën, i cili më ndihmoi me disa përkthime.

Më pas u ulëm të bisedonim me bashkëshorten e Florianit, e cila më shpjegoi pak si funksionon Franca, e më pas gjërat morëm drejtim.

CMG: Sot je një artist i suksesshëm, por si nisi pasioni për muzikën dhe kush e zbuloi talentin tënd? 

Kledis Rexho: Ishte mamaja ime, e cila kishte shumë dëshirë që një nga fëmijët e saj të bëhej muzikant. E falenderoj që e mori këtë inisiativë. Mendoj se muzika është si një lloj pasaporte që hap dyert e çdo vendi, por edhe zemrat e njerëzve. Kur muzika bëhet me pasion dhe me angazhim, atëherë qëllimi është i arritur. Rrugëtimi nisi në shkollën “Onufri” me profesor Astritin, të cilin e falenderoj për gjithë punën që ka bërë, e më pas me profesor Bujarin, si dhe me shumë profesorë të huaj që kam patur fatin të punoj me solistët më të mirë të orkestrave të Francës.

CMG: Ke patur shumë koncerte me orkestrat ku ke punuar si me orkestrën e Luksemburgut, atë të Francës, etj. Na trego për këto

Kledis Rexho: Me këto orkestra kemi shkuar në Moskë, në New York, në gjithë Spanjën, në Barcelonë më ka pëlqyer shumë aty ku zhvilluan koncertin në muze, por një emocion i veçantë është gjithmonë në Vjenë.

CMG: Ti tashmë ke krijuar orkestrën e parë ndërkombëtare me bazë në Shqipëri “Life and Music Concept Orchestra”, por a do ta shohim këtë orkestër të luajë në skenat  botërore?

Kledis Rexho: Në të vërtetë ky është qëllimi. Është një rrugëtim që po bëjmë me bashkimin ndërmjet muzikantëve tanë të orkestrës, muzikantë të tjerë shqiptarë profesionistë që presim t’i bashkohen orkestrës tonë, gjithashtu edhe muzikantë që vijnë nga vende të ndryshme sepse kjo e bën atë ndërkombëtare, bashkëveprimi muzikor. Kam luajtur me kolegë muzikantë nga Kina, Yuja Wang, që është violina e parë super solist i filarmonisë së Luksemburgut. Do të ishte një pasuri artistike, nëse ne mund ta sjellim atë në Shqipëri që të luante me orkestrën tonë, do ishte një eksperiencë e mrekullueshme nëse na krijohen mundësitë. Shpresoj që të ecim në këto dy drejtime, në bashkëveprimin e muzikantëve të huaj dhe shqiptarë në koncerte këtu në Shqipëri dhe shumë shpejt të arrijmë që orkestrën ta dërgojmë në vende të ndryshme të botës e të përfaqësohet si orkestra e parë ndërkombëtare me bazë në Shqipëri.

CMG: Shpresoj që në të ardhmen kjo orkestër të luajë edhe pjesë shqiptare jashtë vendit.

Kledis Rexho: Shpresoj së shpejti.

CMG: Dhe misioni vazhdon…

Kledis Rexho: Jemi shumë të angazhuar tek pjesa pedagogjike, tek demokratizimi i muzikës klasike, kemi shumë plane për Vivaldin, do vazhdojmë  me muzikën baroke, por mbi të gjitha kam dëshirë që të vazhdoj edicionin e tretë të festivalit “Violiona  e paqes”.

Intervistoi: Sava Lena