Prezenca e OSBE-së trajnon zyrtarë të Policisë dhe BKH-së për analizën financiare
2024-09-29 09:50:04

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një trajnim të personalizuar për oficerë policie dhe hetues, për të rritur njohuritë dhe ekspertizën e tyre në kryerjen e analizave financiare dhe profilizimin financiar në hetimet financiare proaktive, shkruan “ATSH”.

Foto nga ATSH

Foto nga ATSH

Pjesëmarrësit ishin zyrtarë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit dhe hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Trajnimi, i mundësuar në bashkëpunim me Programin Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnimin e Hetimeve Kriminale të Departamentit amerikan të Drejtësisë (ICITAP), ofroi një përzierje njohurish teorike, shembujsh praktikë dhe skenarësh të rasteve fiktive të hetimeve financiare.

Veprimtaria u organizua si pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Mbështetja për agjencitë shqiptare të zbatimit të ligjit për të trajtuar në mënyrë efektive krimet e rënda dhe krimin e organizuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal V”.

Projekti synon të mbështesë dhe të ndihmojë agjencitë shqiptare të zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit të organizuar kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të krimeve të rënda, në mënyrë efektive, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, si edhe të përmirësojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe rajonalë.