Kreu i OKB-së bën thirrje për armëpushim urgjent në Lindjen e Mesme
2024-09-29 11:09:10

Guterres (Foto Atsh)

Guterres (Foto Atsh)

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë sërish thirrje për një armëpushim urgjent në Lindjen e Mesme, pas sulmeve të pandërprera të Izraelit ndaj Libanit.

“Lufta në Liban mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm duke përfshirë fuqitë e jashtme”,- tha Guterres në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në Nju Jork, citon “ATSH”.

Ai bëri thirrje për një armëpushim të përkohshëm për të lejuar ofrimin e ndihmës humanitare dhe rifillimin e negociatave të paqes.

“Kemi nevojë për këtë armëpushim tani. Nuk mund të përballojmë negociata të pafundme, siç është vepruar për Gazën. Duhet të shmangim një luftë rajonale me çdo kusht. Gaza mbetet epiqendra e dhunës. Dhe Gaza është çelësi për t’i dhënë fund asaj”,- tha Guterres, duke theksuar se ligji ndërkombëtar humanitar dhe civilët duhet të respektohen.

“Spiralja e vdekjes duhet të përfundojë për Gazën, për palestinezët dhe izraelitët, për rajonin dhe për botën. Dhe më në fund duhet të ketë përgjegjësi. Çelësi i paqes në rajon është një zgjidhje politike”,- tha ai. (Irma)