Ministri Hasani: Me rëndësi bashkëpunimi rajonal dhe shfrytëzimi i potencialit të përbashkët
2024-09-29 09:31:07

Ministri Hasani (Foto Atsh)

Ministri Hasani (Foto Atsh)

Gjatë takimeve të zhvilluara në Nju Jork, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria, si vend kryesues i Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP) dhe Nismës së Europës Qendrore (CEI), rikonfirmoi angazhimin e saj për të përshpejtuar procesin e integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Europës Qendrore, shkruan “ATSH”.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, e vuri theksin te rëndësia e bashkëpunimit rajonal dhe shfrytëzimi i potencialit të përbashkët për të arritur zhvillimin ekonomik dhe sigurimin e një të ardhme më të begatë për qytetarët e rajonit.

“Ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa ato që na ndajnë dhe ne duhet të përfitojmë nga mundësitë që na presin”,- deklaroi ministri Hasani.

Ai nënvizoi se avancimi i qëndrueshëm i procesit të integrimit europian mbetet një prioritet kyç i kryesimit shqiptar të CEI-t.

Në të dyja nismat, Shqipëria ka rikonfirmuar angazhimin e saj për forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe klimës së investimeve në rajon, si dhe përballjen me sfidat globale në kuadër të Axhendës 2030. (Irma)