Kryeministri Rama ne OKB (Foto Atsh)
Shqipëria ka bërë një tranformim rrënjësor të praktikave dhe mendësisë së qeverisjes, deklaroi kryeministri Edi Rama në sesionin e 79-të të Asamblesë të Përgjithshme të OKB, në Nju-Jork, shkruan “ATSH”.
Ai theksoi se tashmë 95% e shërbimeve ofrohen pa letër dhe se digjitalizimi i aksesit dhe shërbimeve ka tkurrur korrupsionin, informalitetin dhe mosbesimin në institucione.
“Përmes reformës në drejtësi, Shqipëria ka investuar shumë gjatë viteve të fundit në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 16, si instrument kyç për të përftuar të ardhme të qëndrueshme, progres shoqëror, prosperitet ekonomik, qëndrueshmëri mjedisore dhe drejtësi. Por, për një vend në zhvillim që përpiqet për institucionet e drejta, të ndershme e mirëqeverisje, kjo është një betejë që nuk mund të fitohet brenda një viti përmes disa reformave apo edhe brenda vetëm një dekade. Kjo është një përpjekje e pareshtur për të transformuar së brendshmi të gjitha praktikat, për t’u ofruar akses qytetarëve në të gjitha nivelet dhe shkallët e qeverisjes”,- theksoi Rama.
Ai u shpreh se qeveria shqiptare zotohet të luajë rolin e saj e të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar për të siguruar realizimin me sukses të axhendës “Shqipëria 2030”.
“Duke punuar mbi atë që kemi bërë në vazhdim gjatë mandatit të mëparshëm si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkaura, do të vazhdojmë të punojmë me vende me mendësi të ngjashme me ne për të përmirësuar qeverisjen e efikasitetin institucional të OKB-së, rendin shumëpalësh dhe respektimin e të drejtave të njeriut”,- deklaroi Rama.
Kryeministri deklaroi se si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut, Shqipëria është zotuar kundrejt parimeve universale të të drejtave të njeriut e dinjitetit njerëzor, ku çdo qenie nejrëzore mund të realizojë potencialin e vet të plotë e të jetojë me dinjitet e respekt. (Irma)