Manastirliu-Gonxhja (Foto Atsh)
Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit nënshkruan marrëveshjen që lejon transferimin gjatë gjithë vitit të parë të gjimnazit të nxënësve drejt arsimit profesional, shkruan “ATSH”.
Nxënësve që duan të marrin një zanat u jepet një mundësi e re që të zgjedhin arsimin profesional në çdo kohë.
Ky ndryshim, është një tjetër mundësi për të rinjtë, që të kthejnë sytë nga arsimi profesional, në një treg që është gjithnjë e më shumë dinamik, që ka nevojë për profesionistë të fushave të ndryshme.
“Firmosim një udhëzim të përbashkët, që mundëson transferimin dhe regjistrimin e nxënësve përgjatë gjithë vitit në arsimin profesional. Ky udhëzim, është një tjetër instrument në paketën e reformës të arsimit profesional në garancinë që ne krijojmë, së pari që nxënësit të shkojnë aty ku kanë prirjet. Së dyti, i krijojmë lehtësi dhe një mbështetje të madhe familjeve, të cilët do ta kenë më të lehtë të dinë se ku do t’i orientojnë fëmijët e tyre”,- deklaroi ministrja Manastirliu.
“Për vitin mësimor 2024-2025 është arritur një numër rekord i regjistrimit në klasën e 10-të me rreth 4400 nxënës, plus 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti me parë. Regjistrimet janë të hapura deri ne 30 shtator ndaj ky event do na ndihmonte që të bënim edhe njëherë thirrjen që kush ka për tu regjistruar, të regjistrohet”,- deklaroi ministri Gonxhja.
Arsimi profesional po konsiderohet si një mundësi e artë për të rinjtë shqiptarë, duke ofruar perspektiva të reja, punësim të shpejtë dhe mundësi për të zhvilluar më tej karrierën e tyre akademike. (Irma)