Rrëfimi i Ormira Lulanit
2024-09-28 16:53:44

Çdo gjë të bukur e lidh me artin, qoftë edhe mënyrën e të folurit, mënyrën e të qeshurit, muzikën, natyrën, shiun dhe erën. Çdo gjë të bukur, poezinë, shkrimet, bisedat, kur ato kuptohet janë të bukura dhe plot emocion. Në të gjitha këto unë e shoh artin brenda. Prandaj them çdo gjë e bukur është art.

Ormira Lulani(Foto personale)

Çdo gjë e bukur më frymëzon. Më pëlqen shumë të lexoj dhe më pëlqen shumë poezia. Sa herë dilja rrugëve në Shkodër kur binte shi kisha shumë dëshirë  të recitoja sepse dija shumë poezi dhe ky ishte gjithnjë një shkak për ta hedhur pastaj në telajo. Muzika më pëlqen shumë, më bënte gjithnjë të fantazoja sidomos muzika cigane. Më pëlqente jashtë mase dhe shpesh herë frymëzimet e para të miat kështu kanë qenë me muzikë cigane, me ciganë, të cilët luanin në vegla muzikore, këndojnë. Një jetë e lirë, një jetë e bukur që gjithmonë, nuk e di pse e ëndërroja shumë. E kam ëndërruar të isha një cigane. Çdo gjë që më prek, qoftë edhe koha, një kohë me shi, më nxit që të pikturoj. Një kohë me diell më nxit të pikturoj, një peisazh, një muzg pra frymëzimin e shoh gjithandej, në çdo gjë të bukur që më prek vërtetë, qoftë edhe një muzikë melankolike që ka një dhimbje brenda ose një portret i një plaku. Pra, shumë gjëra, nuk di ta shpreh por, shumë gjëra të bukura të cilat unë has në rrugët, në jetën e përditshme, janë gjithmonë një frymëzim që pastaj unë ti hedh në telajo apo në letër.

Më pëlqen shumë të bëj autoportrete. Kam filluar që herët, që në shkollën e mesme që ishte koha që po përgatitesha për konkursin e Institutit të Arteve që vazhdimisht pikturoja veten, sepse ishte modeli më i mirë, portreti apo personi të cilin njihja më mirë ishte vetja ime dhe rrija me orë të tëra para pasqyrës duke interpretuar në mënyra të ndryshme, duke kapur mimikën e fytyrës dhe kjo ka vazhduar deri më sot. Unë pothuajse në të gjitha punimet e mia bëj veten. Nuk mund të them se jam e dashuruar pas vetes, s’do ta them këtë gjë, por më pëlqen. Më pëlqen veten mbase e njoh shumë mirë dhe kam qejf të kap të gjitha ato momentet e ndryshme që unë kaloj në jetë dhe kam krijuar edhe cikle të ndryshme që janë të gjitha mbi mua. Në kohën e vjeshtës që gjithmonë e kam përfytyruar, ku personazhi kryesor jam unë në kompozimet që kam bërë, por gjithnjë me portokallet dhe unë e them është koha e portokalleve, kështu titullohet i gjithë cikli Para pak kohe kam mbyllur një cikël tjetër “Kur muzgu bie” apo “Kur nata bie”, të cilat kanë gjendje të ndryshme emocionale që unë kam kaluar në faza të ndryshme të jetës sime.

Ormira Lulani(Foto personale)

Ormira Lulani(Foto personale)

Mund të them që pikturoj veten, shqetësimet e mia, dhe jam në një relacion shumë të mirë me veten për ta pikturuar atë dhe për ta hedhur në telajo apo dhe në letër. Më shumë në letër, sepse në këtë kohë po punoj më shumë në letër.

Jam ndoshta një tip që shpesh herë i mbaj gjërat brenda vetes dhe nuk e shpreh në publik. Gjithmonë qesh ose dukem e qetë, dukem mirë por kjo s’është e vërtetë sepse çdo njeri ka ngritjet dhe uljet e tij. Një cikël që unë e mbylla para një viti “Kur nata bie”, i gjithi përshkruan një gjendje jo të mirë timen emocionale, që ishte vërtet në një kohë mbas një ndërhyrje kirurgjikale që ishte një fazë jo e mirë, unë vërtet ndihesha e trembur dhe ishte pikërisht kur nata binte, natës nuk flija dot dhe prisja mëngjesin. Pothuajse të gjitha konpozimet e mia janë në ngjyra të errëta, janë natën dhe gjithnjë është një gjel që i shoqëron ato, i cili jepet në forma të ndryshme si ajo që do të më thotë: mëngjesi erdhi, nata po ikën. Është një cikël shumë interesant që vërtet unë e dua dhe më pëlqen jashtëzakonisht shumë që tregon këto.

 Për fat është arti, për fat është piktura që kemi fatin e madh t’i shprehim të gjitha këto gjëra që kemi siklet, ose tua shprehim njerëzve sepse dikush të kupton, dikush s’të kupton, dikush të paragjykon. Është forma më e mirë për të shprehur atë që ti ke brenda teje.

Nuk është e lehtë të jesh e bija e një piktori të madh. Gjithnjë e kam dashur dhe më pëlqen mbiemri që kam dhe që jam bija e tij, por nga ana tjetër kur njerëzit të takojnë dhe thonë: oh e bija e filanit, domethënë ta heqin pak pjesën që ti je vetë artiste, ke artin tënd, ke emrin tënd. Unë jam munduar ta mbaj lart këtë emër, por është diçka që të shtyn të japësh sa më shumë nga vetja, sepse ti duhet të ecësh me emrin tënd dhe ta lartësosh atë, të shkosh lart e më lart, asnjëherë më poshtë.

Deri ku kam shkuar apo ku nuk kam shkuar, kjo është për t’u pare. Ka kohë akoma, por e rëndësishme është që të eci mirë me artindhe me gjërat e tjera që unë bëj.

VizArt lindi si një dëshirë e madhe e një grupi miqsh, ishim një grup i mirë miqsh, për të bërë diçka vërtet të bukur. Idea për krijimin e VizArtit ishte e mikut tim të ngushtë Helidon Halitit, i cili vendosi të bëjmë diçka ndryshe që të merreshim me organizimet, me ekspozita të ndryshme duke përfshirë bienalet, seminare dhe kështu u krijua VizArti.

U krijua nga dëshira ose nga dashuria për të bërë diçka më tepër sesa thjesht të pikturonim ose të hidhnim në letër, por të merreshim me organizime siç erdhën pastaj, se tani janë bërë shumë vite, bienalet dhe festivale, shumë aktivitete të cilat kanë qenë dhe janë vërtet mjaft të arrira. Të them të vërtetën të gjitha këto organizime që kam bërë nuk kanë qenë të lehta. Në fillim kur filluam me bienalen e parë të akuarelit në 2015-tën, se VizArt u krijua në 2014-tën, ne ishim vërtet të papërgatitur. Ne ishim të rinj në fushën e organizimeve, unë punoja tek Klik Expo Grup ku merresha me organizime panairesh. Helidoni kishte bërë panairet e tij kur ishte në Greqi dhe kishte eksperiencën e tij, por për të organizuar diçka kaq të madhe siç ishte një bienale akuareli ishim vërtet të frikësuar.

Ormira Lulani(Foto personale)

 E filluam atë punë me gjëra fare të thjeshta, duke menduar mbase tek një prurje tek 100 veta jo më tepër, por falë një pune shumë këmbëngulëse që ne bëmë ajo bienale tejkaloi çdo parashikim. Kishim gati rreth 800 aplikime, ishte e paimagjinueshme. Shumë artistë që erdhën në Shqipëri, mbase 50-të ishin që erdhën në Shqipëri ne i kemi organizuar në disa vende, tek Muzeu Historik, tek Klik Expo Grup që morëm komplet hapësirën në Pallatin e Kongreseve, tek qendra TEN domethënë u ndamë në katër godina. Puna e organizimit ishte pak e vështirë, por kishim shpirtin që edhe këtë do e bëjmë, dhe kur është dëshira e mire, kur ti e dashuron punën që bën me gjithë shpirt, gjithmonë përfundimi është pozitiv. Pavarësisht se në të gjitha bienalet që kemi bërë ka qenë një buxhet shumë i vogël për gjëra kaq të mëdha,  këto pengesa tani nuk i vëmë re më, sepse shikon rezultatin pozitiv, gjënë që ke arritur dhe pastaj këto gjëra i harron. Por këtë mund të them se nuk kemi ngecur, gjithnjë kemi ecur përpara, kemi dhënë gjëra shumë të bukura.

Kam njohur emra shumë të rëndësishëm, artistë vërtet të famshëm siç është Liu Yi, Zhou Tianya që janë artistë kinezë apo Alvaro Castagnet që janë emrat më të rëndësishëm të artit në botë. Një artist shumë interesant me të cilin kemi pasur edhe një histori vërtet të këndshme ishte Jose Luis Corella, një artist hiper-realist i mrekullueshëm spanjoll. Ne po bënim atëhere bienalen, pasi kemi bërë edhe bienalen e vizatimeve e autoportreteve që është e mrekullueshme dhe erdhën emra shumë të rëndësishëm, ndër ta ishte edhe Jose Luis Corella. E kishim piketuar si autor dhe donim patjetër ta sillnim në Shqipëri dhe mora iniciativën t’i shkruaj dhe çuditërisht mu përgjigj, por negativisht pasi tha e kam të pamundur.

Këta janë artistë botëror dhe vetëm që kthejnë një përgjigje ishte si një shkëndijë që ta vazhdoj komunikimin. Pothuajse i kam shkruar për një muaj pa ju ndarë dhe i kërkova thjesht një punë që të na e sillte të prezantohej në bienalen e VizArtit siç ishte autoportreti. Më në fund, pas shumë e shumë kërkesash ai erdhi jo vetëm me një punë, por solli një kolesksion të tërë të paekspozuar që u bë enkas për këtë event dhe ne i dhamë një hapësirë më vete. Ai erdhi sëbashku më të shoqen dhe ndenji në Shqipëri u mrekullua, dhe tha sa herë të më kërkoni unë do të vij patjetër. Madje tha se po të organizoni diçka unë do të mbledh hiper-realistët më të mëdhenj të botës dhe do t’i sjell vetëm për ju.

Kjo ka qenë një ndër përvojat më të mrekullueshme të takosh një artist në përmasa të tilla dhe që të dukej i paprekshëm, sepse shpesh artistët ashtu të duken nga lart dhe pastaj kur vjen këtu bëhesh miq me ta dhe çdo barrierë, çdo ndarje zhduket dhe duket sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë. Kjo është e bukura e artit, i cili i bashkon njerëzit.

Kjo ekspozitë që quhet “Miqtë, art dhe histori” u mbajt në Javën e Kulturës Kineze për 75 vjetorin e miqësisë midis Kinës dhe Shqipërisë. Është një ekspozitë, e cila u mendua të krijohej si një bashkëpunim ndërmjet artistëve të dy vendeve. Helidon Haliti, që është kuratori i ekspozitës mendoi  që të ftoheshin artiste, të cilët kishin qenë në Shqipëri, e kishin vizituar atë  gjatë aktiviteteve të shumta që VizArt ka organizuar.

Ormira Lulani(Foto personale)

Kjo ishte në prizmin që këta artistë të sillnin shijen e tyre peisazhin, natyrën, folkun e Kinës në Shqipëri, por ta paraqisnin sesi e panë natyrën tonë, kostumet tona, zakonet tona dhe të gjitha këto janë të paraqitura në ekspozitë. Nga ana tjetër është një artist shqiptar si Helidoni i cili ka  rreth 30 vepra, të cilat ai i ka bërë gjatë udhëtimeve dhe ftesave të ndryshme që ka pasur në Kinë. Pra është një ndërthurje e bukur sesi një artist shqiptar shikon peisazhet dhe natyrën kineze, shija e Kinës e sjellë nëpërmjet syve dhe penelit të një artisti shqiptar dhe ajo që artistët kinezë sjellin nëpërmjet artit të tyre.

Kjo ekspozitë përmban rreth 60 punime, të gjitha në mediumin e akuarelit, 30  punime janë të Helidonit dhe 30 të tjerat nga artistët kinezë, të cilët janë vërtet emra të mjeshtrave më të mëdhenj të akuarelit.

Përballë Orit 18-të vjeç, do i thoja që duhet të besojë më shumë tek vetja, t’i japë vetes më shumë mundësi dhe të bëjë një “crazy art”, të mos merret me asgjë tjetër dhe me të tjerët, por të investojë më shumë tek vetja.

Përgatiti Jerida Sakaj