Anxhelo Leskaj, një zë i veçantë në folkun shqiptar
2024-09-28 17:09:08

Anxhelo Leskaj është këngëtar i ri dhe i talentuar në interpretimin e këngës polifonike dhe popullore. Ai që në moshë të vogël është angazhuar me grupin polifonik të Sarandës, duke u dalluar për talentin dhe zërin e tij të veçantë në zhanrin polifonnik dhe popullor. Anxhelo e ka trashëguar këtë traditë muzikore nga familja e tij, dhe vazhdon të ruajë vlerat e muzikës popullore tradicionale. Ka sjellë për artdashësit një kolazh popullor dhe një këngë të re me motive të jugut, dhe së shpejti do të publikojë një tjetër kolazh me këngë popullore. Në një intervistë për Radio Ejani, Anxhelo tregon për fillimet e tij në muzikën popullore, aktivitetet dhe projektet muzikore në vazhdim.  

CMG: Si lindi tek ju pasioni për këngën popullore?

Anxhelo Leskaj në intervistë për CMG

Anxhelo Leskaj në intervistë për CMG

Anxhelo Leskaj: Unë këngën e kam ndjerë që i vogël, këndoja para televizorit. Fillimisht kam kënduar këngën polifonike, kur kam qenë në grupin e Sarandës. Rreth moshës 12 vjeçare kam kënduar për herë të parë këngë polifonike dhe deri në moshën 15 vjeçare kam qenë pjesë e grupit polifonik. Më vonë u shkëputa, për të vazhduar me zhanrin e muzikës popullore qytetare të jugut.

CMG: Si je ndjerë për herë të parë në skenë, si të ka pritur publiku?

Anxhelo Leskaj: Unë kam dalë për herë të parë në skenë në një koncert në Tepelenë dhe si i vogël kam marrë duartrokitje pafund nga publiku, duke u ndjerë shumë i ngrohtë nga mikpritja e publikut.

CMG: E ke trashëguar këngën polifonike dhe popullore nga familja?

Anxhelo Leskaj: Unë e kam trashëguar këngën nga familja e mamasë dhe babait gjithashtu, sepse e kemi traditë këngën labe. Nga ana e mamasë gjyshin e kam këngëtar dhe ka qenë pjesë e ansamblit folklorik të Vlorës, Spiro Çinaj. Kështu që dhe unë jam rritur me frymën e këngës popullore.

CMG: Do të preferoje të këndoje më tepër këngën polifonike apo popullore?

Anxhelo Leskaj: Mendoj se secila ka pjesën e vet tek unë dhe kam dashurinë për të dyja. Këngën polifonike e kam të parën dhe nuk e harroj, por e këndoj për qejfin tim gjithmonë. Ndërkohë që tani vazhdoj të ushtroj më shumë zhanrin e këngës popullore qytetare.

CMG: Sa këngë ke realizuar deri tani dhe si janë pritur nga artdashësit?

Anxhelo në moshë të vogël me grupin polifonik (Foto personale)

Anxhelo në moshë të vogël me grupin polifonik (Foto personale)

Anxhelo Leskaj: Kënga ime e parë ka qenë një kolazh me këngë të vjetra popullore të risjella nga unë. Ky kolazh popullor është pritur shumë mirë nga publiku, duke marrë 1 milion klikime në YouTube dhe është një arritje për mua, sepse dhe zëri u pëlqye shumë. Tani kam projekte të tjera, kam nxjerrë një këngë të re të titulluar “Malli që për ty kam”, dhe kam gati një kolazh tjetër shumë të bukur. Ndërkohë që më vonë mendoj të realizoj një këngë kurbeti si dhe bashkëpunime të tjera.

CMG: Me cilët kompozitorë apo orkestrues ke bashkëpunuar për realizimin e produksioneve muzikore?

Anxhelo Leskaj: Unë që në fillimet e mia kam bashkëpunuar me Genci Malaj, i cili është kompozitori im  dhe mendoj se kam bërë zgjidhjen e duhur. Jam shumë i kënaqur nga ana profesionale dhe për atë që unë kërkoj Genci është më i miri.

CMG: Ke menduar të bashkëpunosh me këngëtarë të tjerë të muzikës popullore?

Anxhelo Leskaj: Kam bërë diskutime, besoj se do të kem bashkëpunime me këngëtarë të tjerë së shpejti.

CMG: Ke ndonjë këngëtar idhull në muzikën popullore, që të ka mbështetur në fillimet tuaja?

Anxhelo Leskaj: Këngëtari im idhull për polifoninë është Nazif Çela, i cili më ka dhënë shtysën kur kam kënduar për herë të parë këngën polifonike. Ndërsa për këngën popullore idhulli im është këngëtari Ervis Behari, e kam ndjekur që në fillimet e tij, një djalë model. Ai më ka dhënë mikrofonin kur kam kënduar për herë të parë dhe mbetet idhulli im.

CMG: Ke qenë pjesë e eventeve familjare apo koncerteve?

Anxhelo Leskaj në skenë (Foto personale)

Anxhelo Leskaj në skenë (Foto personale)

Anxhelo Leskaj: Kam marrë pjesë në disa koncerte, madje koncertin e fundit e kisha në Vranisht të Vlorës, ishte një performancë shumë e mirë dhe njerëzit mbetën shumë të kënaqur. Ndërkohë që në vazhdim do të kem evente të tjera muzikore.

CMG: Mendon se brezi i ri e do këngën popullore?

Anxhelo Leskaj: Mendoj se kënga popullore sa vjen dhe pëlqehet më shumë nga brezi i ri. Nga Vlora dhe jugu të rinjtë e pëlqejnë shumë këngën popullore, duke parë dhe publikimet që bëjnë në rrjetet sociale. Mendoj se do të vazhdojë të ketë shumë pëlqime nga të rinjtë muzika jonë popullore.

CMG: Si je ndjerë në skenë me veshje popullore tradicionale?

Anxhelo Leskaj: Kostumin popullor e kam veshur në moshën 13 vjeçare kur kam dalë për herë të parë në skenë. Kur del para publikut me veshje popullore është një emocion i veçantë, sepse të performosh në një moshë të vogël para një publiku të madh, duke të dhuruar duartrokitje ndjen një ngrohtësi dhe emocion të madh.

CMG: Si e ka pritur familja suksesin tënd në muzikë?

Anxhelo Leskaj: Unë kur shkoj në shtëpi i gjej prindërit duke dëgjuar këngën time në YouTube, por dhe para se ta publikoja këngën ja kisha dërguar babait që ta dëgjonte. Ai kur takohej për kafe me shokët e tij, u tregonte i gëzuar këngën time. Familja ime është mbështetja më e madhe.

CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?

Anxhelo me këngëtarin e polifoisë Golik Jaupi (Foto peronale)

Anxhelo me këngëtarin e polifoisë Golik Jaupi (Foto peronale)

Anxhelo Leskaj: Mbas këngës së fundit që kam nxjerrë kam për të xhiruar videoklipin e kolazhit të ri, që shumë shpejt do ta publikoj. Ndërkohë që më vonë dëshiroj të bëj një këngë kurbeti, por dhe një bashkëpunim i mundshëm do të vijë shumë shpejt.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.

Anxhelo Leskaj: Përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani kudo që janë.

Intervistoi: Gazmend Agaj