Kina u kërkon Shteteve të Bashkuara të kundërshtojnë publikisht “pavarësinë e Tajvanit”
2024-09-28 16:31:30

Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi diskutoi të premten mbi disa tema kritike me Sekretarin e Departamentit Amerikan të Shtetit Antony Blinken, tema që përfshinin Tajvanin, Detin e Kinës Jugore dhe teknologjinë, gjatë pjesëmarrjes në Sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Foto nga VCG

Foto nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës

Wang, theksoi nevojën që SHBA t'i përmbahet parimit të “një Kine”, të kundërshtojë publikisht "pavarësinë e Tajvanit" dhe të mbështesë ribashkimin paqësor të Kinës. Ai shprehu gjithashtu kundërshtimin e fortë të Kinës ndaj shtypjes ekonomiko-teknologjike të ShBA-së dhe ndërhyrjes së saj në Detin e Kinës Jugore.

Gjatë takimit Wang vuri në dukje se stabilizimi i marrëdhënieve Kinë-ShBA është në dobi të dy vendeve. Ai kritikoi ShBA-në për performancën e saj "me dy fytyra": nga njëra anë shtyp Kinën, nga ana tjetër kërkon dialog me të. Ai i bëri thirrje palës amerikane të ketë një konceptim të arsyeshëm për marrëdhëniet dypalëshe, të respektojë palën tjetër gjatë dialogut, të zhvillojë bashkëpunimin dhe të trajtojë me kujdes mosmarrëveshjet, në vend që të ndërmarrë veprime të njëanshme.

Duke theksuar kërcënimet nga "pavarësia e Tajvanit", Wang deklaroi se veprime të tilla minojnë paqen në ngushticat e Tajvanit. Ai përsëriti se nëse ShBA-ja vërtet kërkon stabilitet në rajon, duhet të mbështesë parimin e “një Kine”, të ndërpresë shitjet e armëve në Tajvan dhe të përkrahë përpjekjet e Kinës për ribashkim paqësor.

Wang dënoi gjithashtu ShBA-në për politizimin e sigurisë kombëtare dhe ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës, nën pretekstin e të drejtave të njeriut. Ai theksoi rëndësinë e shkëmbimeve kulturore dhe i kërkoi ShBA-së të heqë barrierat për të nxitur këto ndërveprime.

Foto nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës

Foto nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës

Lidhur me Detin e Kinës Jugore, ai ripohoi angazhimin e Kinës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes dialogut të drejtpërdrejtë me palët e përfshira, duke i kërkuar ShBA-së të përmbahet nga nxitja e tensioneve që prishin paqen rajonale.

Për çështjen e Ukrainës, Wang përsëriti qëndrimin e Kinës për nxitjen e dialogut dhe paqes, duke bërë thirrje që ShBA-ja të ndalojë fushatat e saj të shpifjeve dhe sanksionet kundër Kinës, të cilat sipas tij, vetëm do të përkeqësojnë ndasitë.

Të dyja palët pranuan natyrën e sinqertë dhe thelbësore të takimit të tyre, duke rënë dakord mbi domosdoshmërinë e gjetjes së një rruge drejt bashkëjetesës paqësore.

Ata shprehën angazhimet për zbatimin e konsensusit të arritur në takimin e dy krerëve të shteteve në San Francisko, duke rritur dialogun, menaxhimin e mosmarrëveshjeve dhe promovimin e marrëdhënieve të qëndrueshme e të shëndetshme dypalëshe, duke ruajtur komunikimin për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.