Takimi me institucionet e pavarura, Spiropali: Mision, drejtësia kapilare për çdo qytetar
2024-09-28 14:14:48

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, deklaroi në takimin me drejtuesit e institucioneve të pavarura se dhënia e drejtësisë kapilare për ҫdo qytetar është një mision.

Foto nga ATSh

Foto nga ATSh

“Është bërë shumë, por ndoshta po aq shumë nevojitet të bëhet për të garantuar procesin e dhënies së drejtësisë në mënyrë kapilare për qytetarin shqiptar kudo, përtej ҫdo dileme dhe në mënyrë sa më të shpejtë të mundshme. Kjo nuk është thjesht një detyrë, ky është një mision, ku si ndoshta askund tjetër marrëdhënia e Kuvendit me institucionet e pavarura të drejtësisë duhet të jetë e qëndrueshme, dinamike, reciproke dhe secili në kufijtë e vet të ushtrimit të pushtetit siҫ dikton Kushtetuta”,- tha Spiropali.

Kryeparlamentarja shqiptare e cilësoi takimin me drejtuesit e institucionet e pavarura kushtetuese dhe të krijuara me ligj si një shans të ҫmuar për të krijuar dobi për të ardhmen, shkruan “ATSH”.

Ajo ҫmoi dhe praninë e partnerëve dhe miqve ndërkombëtarë që bashkëpunojnë me Kuvendin e Shqipërisë për projekte dhe procese të rëndësishme, duke e konsideruar ndihmesën e tyhre të mirëpritur.

“Në këtë moment ata janë edhe pjesë e diskutimeve për një mision të përbashkët, mbrojtjen e interesit publik dhe garantimit dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, promovimin e demokracisë, sigurimin e mirëqenies sociale për qytetarët tanë, thellimin e luftës ndaj korrupsionit dhe sundimin e ligjit”,- tha Spiropali.

Sipas saj, takimi synon rolin e mekanizmit për monitorimin sistematik të ndjekjes dhe zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të krijuara me ligj dhe manualin e raportimit vjetor dhe periodik.

Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se dinamika e zhvillimeve dhe e detyrimeve të proceseve integruese krijon ngutin dhe nevojën për një sinergji më të shpejtë ndërveprimi Kuvend-institucione të pavarura, përtej raportimi periodik vjetor.

Kuvendi, nënvizoi Spiropali ka një rol udhëheqës në procesin e anëtarësimit në BE, si garantues i legjitimitetit demokratik dhe karakterit gjithëpërfshirës të procesit.

Por, shtoi ajo, legjitimiteti dhe gjithëpërfshirja janë të lidhura me kontributin dhe bashkëpunimin e këtyre institucioneve me Kuvendin. Një bashkëpunim, sipas saj, që nuk kalon nga ndikimi dhe një liri që nuk përfshin anarkinë, pavarësinë në vendimmarrje, por që nuk toleron pavarësinë nga ligji.

Spiropali u shpreh se, reforma në drejtësi, frytet e para të institucioneve të drejtësisë, janë shembulli më i mirë se ҫfarë energjie institucionale ҫlirohet kur filozofia e pavarësisë së institucioneve vihet në jetë. (Irma)