Zv.ministri i Mbrojtjes: Korridori VIII, me rëndësi strategjike të dyfishtë
2024-09-28 14:17:40

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Dorian Tola, u takua me komandantin e Forcës Detare bullgare, nënadmiralin Kiril Mihaylov, në kuadër të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Forcave Detare të të dy vendeve.

Foto nga ATSh

Foto nga ATSh

Gjatë takimit u diskutua mbi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve në të gjitha nivelet në fushën e mbrojtjes, si dhe mbi mundësitë e intensifikimit të tyre, shkruan “ATSH”.

Nënshkrimi i Letrës së Qëllimit nga të dyja vendet, së bashku me Italinë dhe Maqedoninë e Veriut, ka hapur rrugën e bashkëpunimit në kuadër të Korridorit VIII.

Ky korridor ka një rëndësi strategjike të dyfishtë, jo vetëm si një rrugëkalim i sigurt për lëvizshmërinë e trupave ushtarake aleate, por edhe si një korridor për zhvillimin ekonomik të rajonit, duke mundësuar lidhje më të shpejta dhe më efikase ndërmjet vendeve.

Zëvendësministri i Mbrojtjes theksoi gjithashtu rëndësinë e Portit të Porto-Romanos si porta hyrëse e këtij korridori.

Një tjetër temë e diskutuar ishte industria e mbrojtjes, përpjekjet e Shqipërisë për rijetësimin e saj dhe përvojat e Bullgarisë në këtë drejtim, veçanërisht në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve detare.