Gjermania do t’i dërgojë Ukrainës armatime shtesë prej 400 milionë euro për të forcuar aftësitë ushtarake të këtij vendi.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, deklaroi se Parlamenti gjerman ka rënë dakord të rrisë fondet për mbështetjen ushtarake për Ukrainën me rreth 400 milionë euro, shkruan “RTSH”.
Foto nga VCG
Sipas tij, kjo do të mundësojë blerjen e kapaciteteve shtesë të mbrojtjes ajrore, tankeve, dronëve, municioneve dhe pjesëve rezervë, të cilat do të forcojnë efektivisht Forcat e Armatosura ukrainase në mbrojtjen e vendit.
Komiteti i Buxhetit të Parlamentit gjerman miratoi fondet, pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u kërkoi aleatëve perëndimorë të rrisin mbështetjen e tyre ushtarake.
Që nga nisja e konfliktit në shkurt 2022, sipas shifrave zyrtare, Gjermania ka dorëzuar ose rezervuar 28 miliardë euro armë në Ukrainë.
Ndihma ushtarake ka përfshirë armë dhe pajisje të avancuara si tanke luftarake “Leopard 2”, tanke kundërajrore “Gepard”, automjete luftarake “Marder”, si dhe sisteme të mbrojtjes ajrore “Patriot” dhe “IRIS-T”. (Irma)