Dhjetëra mijëra libanezë të zhvendosur pas bombardimeve të fundit izraelite
2024-09-28 15:31:54

Ministri i Brendshëm libanez, Bassam Mawlawi, deklaroi se rreth 70.100 persona të zhvendosur janë aktualisht të regjistruar në 533 qendra emergjente, pas sulmeve të fundit të Izraelit, shkruan “ATSH”.

Foto nga VCG

Liban pas bombardimeve, 28 shtator 2024/VCG

Ai theksoi në një konferencë shtypi në Bejrut se shkollat kryesisht janë shndërruar në strehimore urgjente dhe se ka ende një fluks të madh të të zhvendosurve nga jugu.

Numri i saktë i personave të zhvendosur brenda vendit në Liban është aktualisht i vështirë për t’u përcaktuar, pasi shumë njerëz kanë ikur te të afërmit, ndërsa të tjerët flenë në rrugë.

Foto nga VCG

Libanezë të zhvendosur në rrugë, 28 shtator 2024/VCG

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) bëri të ditur gjatë kësaj jave, duke cituar autoritetet libaneze, se rreth 90.000 banorë konsideroheshin të zhvendosur që nga e hëna.

Sipas OKB-së, kjo nuk është hera e parë që shumë prej personave të zhvendosur duhej të largoheshin nga shtëpitë e tyre për të gjetur siguri.

Zyra e OKB-së pret që numri i personave të zhvendosur të vazhdojë të rritet, pasi situata mbetet e paqëndrueshme dhe shumë njerëz janë ende në lëvizje.