Nisja e negociatave me BE-në për anëtarësimin, Tabaku: Thjesht proces teknik
2024-09-28 14:45:53

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi se hapja e negociatave me BE-në më 15 tetor për diskutimin e kapitujve të parë të negociatave me BE-në për çështjet themelore është një proces teknik, shkruan “ATSH”.

Foto nga ATSh

Foto nga ATSh

Në një intervistë televizive, Tabaku tha se nuk ka vend për triumfalizëm nga ana e qeverisë, për diçka që duhet të ndodhte vite më parë.

“Shqipëria në vitin 2013 ishte gati për të marrë statusin e vendit kandidat dhe për të hapur negociatat. Jemi rasti ekzemplar në të gjithë vendet e rajonit dhe në historinë e gjatë të procesit të integrimit ku për 10 vite Shqipëria nuk pati asnjë avancim. Së dyti, ky moment ishte gati për t’u realizuar brenda tre vitesh”,- tha ajo.

Sipas Tabakut, ky është thjesht një proces teknik që u bllokua për arsye politike.

“U bllokua si rezultat i kontestimit të zgjedhjeve në Himarë, ku një nga vendet e Bashkimit Europian, në këtë rast Greqia, e bllokoi procesin. Për mua kjo ishte e padrejtë, sepse Shqipëria në këtë rast, qeverisë nuk i interesonte, por këtu humbnin qytetarët dhe qytetarët boll kanë humbur kohë dhe ju jeni të ndërgjegjshëm që çdo arritje e madhe në procesin e integrimit është bërë dhe është arritur nga Partia Demokratike”,- shtoi ajo.

Tabaku tha se edhe për opozitën është përfituese që të lëvizet në këtë drejtim, duke e cilësuar procesin e integrimit një mjet të jashtëzakonshëm për ndryshim.

“Nuk mendoj që do të hapen negociatat dhe do të mbyllen kufijtë dhe do të ndodh një mrekulli këtu brenda, por mendoj që do të jetë një motivim i brendshëm së pari për ta ndaluar qeverinë nga vendime autoritare, së dyti për të pasur më shumë kontroll mbi institucione dhe së treti për të pasur një raportim periodik i cili sot nuk ndodh”,- shtoi ajo.