Raporti i BERZH-it: Rritja ekonomike në Shqipëri parashikohet të jetë 3.5%
2024-09-28 15:02:32

Shqipëria parashikohet të ketë një rritje ekonomike në 3.5% për këtë vit, thuhet në raportin e publikuar nga Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH) për rajonin e Ballkanit, shkruan “ATSH”.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Sektori financiar mbeti i qëndrueshëm në gjysmën e parë të vitit, me likuiditet të mjaftueshëm, me rentabilitet të qëndrueshëm dhe aktivitet kreditor në rritje. Rritja parashikohet në 3.5% në 2024-n dhe 3.7% në 2025-n”,- thuhet në raport.

Në gjysmën e parë të këtij viti, ekonomia e Shqipërisë shënoi një rritje me 3.6%, si rezultat i të ardhurave të larta nga turizmi dhe shërbimet. Ndërsa prodhimi bujqësor dhe ai industrial pësuan rënie.

BERZH-i vlerëson se inflacioni është në një prirje rënëse dhe brenda objektivit të Bankës Qendrore, në nivelin 2.1% në korrik 2024.

Në raport theksohet se monedha shqiptare, leku, ka qenë i qëndrueshëm në muajt e fundit, pas një mbiçmimi prej 12.5% në vitet 2022-2023, pjesërisht si pasojë e ndërhyrjeve të Bankës Qendrore në treg.

Sa i përket Ballkanit Perëndimor, rritja ekonomike u rrit në 3.7% në gjysmën e parë të këtij viti, nga 2.5% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deri në fund të vitit parashikohet që rritja e ekonomisë të jetë 3.4%, ndërsa vitin e ardhshëm 3.7%.

Sipas raportit të BERZH-it, zbatimi i mëtejshëm i reformave strukturore, të mbështetura nga Plani i Rritjes Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, mund ta nxisin më tepër rritjen ekonomike.