Nisja e negociatave me BE-në, zëdhënësja e KE-së: Nuk ka kushte shtesë për Shqipërinë
2024-09-28 14:41:56

Hungaria ka konfirmuar zyrtarisht vendimin unanim të marrë nga ambasadorët e 27 shteteve anëtare për thirrjen më 15 tetor të konferencës së dytë ndërqeveritare me Shqipërinë, ku dhe do të nisin negociatat faktike për anëtarësimin e vendit në BE.

Foto nga AtSh

Foto nga AtSh

Me anë të një letre drejtuar qeverive të shteteve anëtare, presidenca hungareze e radhës së BE-së konfirmon se Shqipëria i ka përmbushur kushtet e nevojshme për hapjen e grupkapitullit të parë, i cili ka të bëjë me të drejtat themelore, prokurimet, statistikat, gjyqësorin, drejtësinë, liritë individuale, sigurinë dhe kontrolli financiar, shkruan “ATSH”.

Për nisjen e negociatave faktike, zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero, konfirmoi faktin se ndryshe nga Maqedonia e Veriut, për Shqipërinë nuk ka asnjë kusht shtesë.

“Qëndrimi i Komisionit Europian është shumë i qartë. Ne presim që vendet anëtare të BE-së të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur negociatat për grupkapitullin e parë për çështjet bazë me Shqipërinë. Kur është fjala për Maqedoninë e Veriut, kjo duhet të ndodhë kur të ketë përmbushur të gjitha kushtet që janë vendosur nga Këshilli i Europës”,- u shpreh ajo.

Kjo vendimmarrje, nënkupton faktin se Shqipëria po ndahet në procesin e anëtarësimit nga Maqedonia e Veriut, e cila vazhdon të ketë probleme për disa çështje me Bullgarinë.

Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE në korrik 2022, ndërkohë që ka përmbyllur me sukses procesin “screening”.

Qeveria shqiptare synon që brenda dy viteve në vijim të ketë realizuar disa konferenca ndërqeveritare, me objektiv strategjik anëtarësimin e vendit në BE brenda vitit 2030.