Më social dikur, apo sot?
2024-09-27 10:14:01

Loreta Kruja -Punonjëse sociale (Foto personale)

(Foto nga  Istock)

Nëse flasim për socializimin duket se me kohën kanë ndodhur ndryshime edhe në këtë aspekt.  Por a ndryshon kjo edhe me moshën? E vërteta është se ndërsa mbetemi vetvetja, nuk jemi i njëjti person gjatë gjithë jetës sonë. Kjo për faktin se personaliteti përmirësohet me kalimin e kohës. Njeriu është produkt i shoqërisë dhe i rrethanave. Shumë fëmijë,  të cilët janë të turpshëm dhe nuk socializohen në moshë të vogël, janë më impulsivë dhe më të shoqërueshëm rreth të njëzetave. Filozofi i lashtë grek Sokrati ka thënë: “Çdo shoqëri, e krijon modelin e njeriut sipas vetes së saj”. Është shoqëria, janë marrëdhëniet ekonomiko-shoqërore që përcaktojnë shkallën kulturore, të sjelljes së individit dhe marrëdhënieve të tij. Një shoqëri e përparuar dhe e moralshme, krijon individë të kulturuar, të sjellshëm e socialë. Natyrisht, raporti shoqëri-individ është reciprok. Punonjësja sociale Loreta Kruja, për Radio Ejani jep mendimin e saj rreth kësaj teme të rëndësishme për shoqërinë tonë.

CMG: Sa socialë janë njerëzit sot? A ka ndryshuar kjo gjë ndër breza?

Loreta Kruja: Më vjen mirë që vjen në fokus kjo temë. Në fakt ka një ndryshim të marrëdhënieve, të raporteve të njerëzve midis njëri-tjetrit. Për shembull, për të bërë një vlerësim midis periudhës para viteve ’90-të, njerëzit kanë qenë më të socializuar, më aktivë dhe më të lidhur me njëri-tjetrin. Tani sigurisht që kjo gjë ka ndryshuar.

CMG: Cilët faktorë kanë ndikuar për këtë?

Loreta Kruja: Faktorët janë të shumtë, një prej tyre është emigrimi, rritja e nivelit ekonomik, pasi njerëzit tani gjenerojnë më shumë të ardhura. Tani kanë prirje të lëvizin, kanë prirje dhe tendenca të krijojnë jetën e tyre në mjedise jashtë Shqipërisë dhe në këtë mënyrë krijohet një lloj endeku, një lloj distance  fizike, sociale dhe psikologjike.

Gjithashtu është edhe kapitalizmi, ndërkombëtarizmi, globalizmi, i cili padiskutim ndikon tek relativizimi i marrëdhënieve me njëri- tjetrin.  Por mendoj dhe besoj se njerëzit kanë nevojë për njëri-tjetrin sepse ne shohim për solidarizim, shohim që për situata të vështira, por edhe të mira, zakonisht jemi të prirur të afrojmë marrëdhënien ndërpersonale me njëri-tjetrin, jemi të prirur që rrethin  tonë të ngushtë dhe rrethin tonë ambicioz ta zgjerojmë, të krijojmë lidhje, marrëdhënie edhe me rrethin më të gjerë  kur ndodhemi në momente të vështira, por edhe në momente të lumtura të jetës tonë.

CMG: A duket se njerëzve sot nuk u pëlqen shumë socializimi?

Loreta Kruja: Nuk mendoj se njerëzve nuk u pëlqen socializimi, por për shkak të ekonomisë së tregut, për shkak të ndryshimit të marrëdhënieve ekonomike, të gjitha këto pastaj kanë sjellë ndryshimet e ndërkombëtarizimit, të lëvizjeve masive dhe kanë bërë që njerëzit të kenë një lloj distance fizike me njëri- tjetrin. Më pas vijnë të gjithë instancat psikologjike dhe sociale, por edhe interneti ka pjesën e vet.

CMG: Çfarë duhet të bëjmë ne si shoqëri?

Loreta Kruja: Unë mendoj se ekzistojnë disa mënyra dhe metoda që mund të rrisim socializimin e marëdhënieve. Së pari është edukimi i fëmijëve që në vegjëli. Nuk është e rëndësishme që ato të kenë vetëm të ardhura, që të arrijnë shumë gjëra në pak kohë, por është e rëndësishme që këta fëmijë të jetë të edukuar, të socializuar, të dashur, të kenë marrëdhënie ndërpersonale, të jenë të drejtë, të pastër, të jenë fëmijë që të besojnë fort  tek idetë dhe fuqitë e tyre. Në këtë mënyrë socializimi, marrëdhëniet do të krijojnë një lloj vetërregullimi. Gjithashtu e rëndësishme është që të ruajmë marrëdhënien me familjen tonë të ngushtë, sepse duke ruajtur marrëdhëniet e fuqishme në familjen tonë të vogël, si me familjarët tanë, brezi i fëmijëve tanë do të imitojë modelin. Duhet ruajtur marrëdhënia midis fëmijëve, prindërve dhe duhet t’i  edukojmë në këtë mënyrë ndërsa ata rriten

Të jesh social nuk të bën më inferior, por të bën ty njerëzor, të dashur, të bën një njeri që të kërkosh të marrësh mbështetje tek njerëzit më të afërt, por edhe t’u japësh mbështetje njerëzve të afërt. Prandaj socializimi është shumë i rëndësishëm si dhe mënyra se si ndërlidhemi me njëri-tjetrin sepse ndoshta bota dhe zhvillimi teknologjisë na ka bërë inferiorë dhe indiferentë, por socializimi na bën të mendojmë se nuk mund të jetojmë pa njëri-tjetrin.

(Foto nga  Clinical psychologist)

Ndërtimi i marrëdhënieve  ndërpersonale është i rëndësishëm sepse na rrit, na fuqizon, ngre pikat tona të forta dhe na ve në dukje pikat tona të dobëta.  Pra të gjitha këto, edukimi, normat, vlerat, mënyra se si ne rrisim dhe edukojmë fëmijët tanë në shkollë, në familje dhe mënyra se si ja tregojmë modelet për të ruajtur këto marrëdhënie ndërpersonale, për të qenë social dhe korrekt dhe jo vetëm, por edhe për ta ndërtuar këtë socializim tek brezat e mëvonshëm.

Prandaj e mira është që fëmijët të edukohen që të vegjël, që marrëdhëniet ndërpersonale të jenë të rëndësishme dhe fortfuqizojnë karakterin tone, duke na bërë njerëz më solidë, më të rritur dhe që ta dimë që në disa momente të caktuara të jetës tonë, ne kemi nevojë edhe për të tjerët. Prandaj do të ishte mirë, që mos largohemi kaq shumë, e mos jemi indiferentë ndaj shoqërisë në momente të caktuara. Prandaj është mirë që të rrisim një brez sa më shumë social.

Studime për socializimin

Disa studime theksojnë se socializimi ndikon edhe në zgjatjen e jetës së njeriut. Personat që kanë kontakte sociale, marrëdhënie me njerëzit  pothuajse çdo ditë, përfitojnë më shumë për sa i përket jetëgjatësisë. Duke qenë se rreth një miliard njerëz në botë janë mbi 60 vjeç dhe numri i tyre pritet të dyfishohet deri në vitin 2060, gjithnjë e më shumë vëmendje po i kushtohet të ashtuquajturës mosha e tretë. Ka një rritje graduale të kërkimit shkencor rreth plakjes, në çdo aspekt fizik, mendor dhe social.

Studiuesit e udhëhequr nga Dr. Shen He i Spitalit të Kinës Perëndimore të Universitetit Sichuan, i cili botoi në Journal of Epidemiology & Community Health, analizuan të dhënat për 28,563 njerëz të moshuar (mosha mesatare 89 vjeç). Gjatë studimit, 21,161 (74%)  ndërruan jetë. Duke dalë në konkluzionin se, sa më të shpeshta të jenë kontaktet sociale për një person, aq më i madh është probabiliteti për të jetuar më gjatë, pasi kontaktet sociale janë një antidot ndaj stresit kronik.

Ndërsa një tjetër studim, thotë se personat introvert mund të konsiderohen me inteligjencë të lartë. Sipas këtij studimi të botuar në “British Journal of Psychology” aty thuhet; “Njerëzit më të zgjuar nuk janë ata që janë të shoqërueshëm”. Psikologët Satoshi Kanazawa dhe Norman Li, besojnë se kjo lidhje mund të gjendet që në komunitetet njerëzore parahistorike. Në një studim të ri, shkencëtarët vlerësuan dendësinë e popullsisë në një zone, si dhe shpeshtësinë e kontakteve sociale. Siç është vënë re, socializimi shoqërohej me nivele më të larta lumturie, por jo mes njerëzve me inteligjencën më të lartë. Por si lidhet kjo gjetje me paraardhësit tanë të largët? Në të kaluarën e largët, lumturia ishte e lidhur me mbijetesën, për të cilën bashkëjetesa në grup ishte thelbësore. Megjithatë, njerëzit më të zgjuar kanë mjete më efikase për mbijetesë, kështu që nuk u duheshin kaq shumë shoqërues gjuetie, për shembull, jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për t’i dhënë kuptim jetës së tyre. Pra, nëse një personi i pëlqen shoqëria e një libri ose filmi,  më shumë sesa një pjesëmarrje në një festë masive, kjo mund të jetë një shenjë e inteligjencës së lartë.

Intervistoi: Sava Lena