Presidenti Begaj (Foto Atsh)
Presidenti Bajram Begaj, priti në një takim përfaqësues të “Musiad Albania”, organizatë e sipërmarrësve të pavarur turq dhe shqiptarë në Shqipëri, ku e cilësoi Turqinë si një vend mik e aleat, si dhe partner mjaft të rëndësishëm ekonomik të Shqipërisë në fushën e investimeve dhe tregtisë, shkruan “ATSH”.
President Begaj përgëzoi sipërmarrësit për hapjen e degës së “Musiad” në Tiranë, duke e vlerësuar atë si një shtysë për rritjen e tregtisë dhe investimeve të drejtpërdrejta në ekonominë shqiptare dhe një nismë nga e cila përfitojnë edhe bizneset shqiptare që synojnë të investojnë në Turqi.
Kreu i Shtetit inkurajoi përfaqësuesit e kësaj organizate të thellojnë bashkëpunimin për tërheqjen e investitorëve të huaj në Shqipëri, që po bëhet gjithnjë e më shumë tërheqëse për investimet vendase e të huaja.
Sipas presidentit Begaj, forcimi i bashkëpunimit të investitorëve sjell zhvillim të mëtejshëm e të qëndrueshëm, gjë që ndikon pozitivisht në cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë. (Irma)