Ambasadori i BE-së: Parlamenti shqiptar ka rol me rëndësi në integrimin europian
2024-09-27 15:54:33

Ambasadori i BE-se ne Tirane (Foto Rtsh)

Ambasadori i BE-se ne Tirane (Foto Rtsh)

Parlamenti ka një rol kyç në integrimin e vendit në BE, deklaroi ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europina në Shqipëri, Silvio Gonzato, gjatë takimit të zhvilluar nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, me drejtuesit e institucioneve të pavarura.

Si thelbësore për integrimin europian, ambasadori Gonzato theksoi edhe rëndësinë e institucioneve të pavarura, dialogun ndërparlamentar dhe mbështetjen e BE-së për institucionet shqiptare, shkruan “RTSH”.

“Negociatat do të konsistojnë në reforma thelbësore. Shqipëria ka miratuar një udhërrëfyes ambicioz për administratën publike dhe është në funksionimin e institucioneve demokratike. Ky udhërrëfyes ka destinacione të qarta dhe mund të arrihen vetëm nëse ka mobilizim të fuqishëm nga Parlamenti dhe institucionet e pavarura”,- u shpreh Gonzato.

Ambasadori i BE-së theksoi se hyrja e vendit në bashkësinë europiane kërkon dialog ndërparlamentar, teksa shtoi se integrimi duhet të konsiderohet prioritet kombëtarë nga të gjitha palët politike në vend.

Sipas ambasadorit Gonzato, thelbësore në një shtet demokratik është respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç nxirren nga gjykata.

Ambasadori Gonzato theksoi se Komisioni Atikorrupsion ka rëndësi për të parandaluar krimin e organizuar dhe korrupsionin në qeveri, por shtoi se Parlamenti ka rol thelbësor për mos të kthyer mbrapsht reformën në drejtësi.

“Shpresoj që në Parlamentin shqiptar, integrimi europian do të konsiderohet nga të gjitha palët politike si prioritet kombëtar strategjik. Parlamenti është qendra për të pasur dialogun konstruktiv dhe të miratojë legjislacione dhe ndryshime ligjore. Marrëdhëniet ndërinstitucionale duhet të jenë në respekt të plotë të Kushtetutës që ka të bëjë me kontrollin dhe balancë. Për reformën në drejtësi, Parlamenti duhet të luajë rol kyç për mos të kthyer mbrapsht këto reforma”,- tha Gonzato.

Ai theksoi edhe njëherë mbështetjen e BE-së ndaj institucioneve shqiptare në rrugën drejt integrimit, teksa deklaroi se do të ketë një program të dedikuar për të mbështetur Parlamentin shqiptar në përpjekjen për të rritur llogaridhënien. (Irma)