Libani
Një sërë vendesh kanë bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në kufirin midis Izraelit dhe Libanit, në një deklaratë të përbashkët të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.
Në deklaratën e nënshkruar SHBA-ja, BE-ja, Australia, Kanadaja, Gjermania, Italia, Franca, Japonia, Arabia Saudite, Emiratet Arabe dhe Katari bëhet thirrje për një armëpushim të menjëhershëm 21-ditor përtej kufirit Liban-Izrael, për të ofruar hapësirë për diplomacinë të arrijë në një zgjidhjeje diplomatike, shkruan “ATSH”.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve, përfshirë qeveritë e Izraelit dhe Libanit, të miratojnë menjëherë armëpushimin e përkohshëm dhe t’i japin një shans real një zgjidhjeje diplomatike”,- thuhet në deklaratë.
Në deklaratë, situata midis Libanit dhe Izraelit konsiderohet e patolerueshme, pasi ajo paraqet rrezik të papranueshëm të një përshkallëzimi më të gjerë rajonal.
Në një deklaratë të veçantë, presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron, kërkuan një zgjidhje në kufirin Izrael-Liban, që garanton mundësimin e kthimit të civilëve në shtëpitë e tyre.
Të dy udhëheqësit thanë se ata kishin punuar së bashku gjatë ditëve të fundit në një thirrje të përbashkët për një armëpushim të përkohshëm, për t’i dhënë diplomacisë një shans për të pasur sukses dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm përtej kufirit.
“Deklarata që ne kemi negociuar është miratuar tani nga SHBA-ja, Australia, Kanadaja, Bashkimi Evropian, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari. Ne bëjmë thirrje për një mbështetje të gjerë dhe për mbështetjen e menjëhershme të qeveritë e Izraelit dhe të Libanit”,- thuhet në deklaratë. (Irma)