Impakti i marrëdhënieve Shqipëri-Kinë për ekonominë e Shqipërisë
2024-09-27 09:53:18

Këtë vit mbushen 75 vjet të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kinës. Është një moment historik dhe jubile, i cili shpalos kujtime të një miqësie të pastër dhe të sinqertë mes popullit shqiptar dhe popullit kinez, të kulmuar në shumë arritje të bashkëpunimit shumëplanësh ekonomik, kulturor, artistik dhe njerëzor midis të dyja vendeve.

Në këta 75 vite, ndërmjet të dyja vendeve tona janë lidhur mbi 60 marrëveshje ekonomike. Qeveria kineze përkrah dhe inkurajon kompanitë kineze për të investuar në Shqipëri në fushat e energjisë, infrastrukturës, shfrytëzimit të pasurive natyrore, etj.

Në Shqipëri sot, krahas pranisë së kompanive të mëdha kineze, si në fushën e prodhimit dhe eksportit të naftës, etj., ka edhe një komunitet kinez të sipërmarrësve të vegjël në tregtinë me pakicë, mjaft mirë të integruar në shoqërinë dhe jetën shqiptare.

Gjatë viteve 60-80-të të shekullit të kaluar, në momente të vështira për historinë tonë, populli kinez dhe qeveria e tij ndihmuan vendin dhe ekonominë tonë të ndërtonte sektorë moderne për kohën, si industrinë e rëndë, hidrocentralet, bujqësinë e mekanizuar, etj.

Në nivel të marrëdhënieve tregtare, sipas INSTAT, gjatë vitit 2023, vëllimi tregtar mes të dyja vendeve i kaloi të 1 miliardë dollarët, duke e renditur Kinën në partnerin e dytë tregtar të Shqipërisë.

Produktet kryesore që marrim nga Kina janë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi, me 48.5 përqind të totalit, ndjekur nga tekstile dhe këpucë, me 15 përqind të totalit dhe nga materiale ndërtimi dhe metale, me 14 përqind.

Në shtatemujorin janar-gusht të vitit 2024, eksportet tona në Kinë u rritën me 28.7 përqind, duke arritur në 73.5 milionë dollarë, nga 57.1 milionë dollarë të periudhës janar-gusht 2023.

Prof.Dr. Selami Xhepa në intervistë për CMG

Në rritjen me gati një të tretat të eksporteve shqiptare në Kinë për vitin 2024, një pjesë të rëndësishme e zë shtimi i eksporteve të produkteve bujqësore nga Shqipëria, si pjesë e strategjisë për nxitjen e eksporteve, e cila ndiqet nga qeveria shqiptare.

Kina është ngjitur në vendin e 5-të në botë, tek i cili eksportojmë, për nga vlera në treg e eksporteve tona. Kryesisht, ne eksportojmë lidhje hekuri, xeherorë dhe koncentrate bakri, si dhe xeherorë dhe koncentrate kromi, pasi industria kineze është gjithnjë e etur për lëndë të tilla të para.

Kina është treg i madh dhe kompanitë shqiptare duhet të bëhen bashkë, për t’i bërë të interesuara kompanitë partnere kineze, shtetërore dhe private.

Ndërkohë, investimet kineze në ekonominë shqiptare, pavaresisht potencialit të tyre të lartë, të shprehur gjerësisht në rajon, përmes nismës shumë të suksesshme mbarëbotërore kineze “Një Brez, Një Rrugë”, ende nuk janë në nivelin e duhur.

Në janar 2023, të dyja qeveritë nënshkruan një marrëveshje për heqjen e vizave të hyrjes për qytetarët e tyre. Kjo marrëveshje ka sjellë një shtim të ndjeshëm të turistëve kinezë në Shqipëri, gjatë dy viteve të fundit.

Mundësitë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kinës janë të hapura dhe të gjera, në të gjitha fushat e ekonomisë.

CMG: Prof. Xhepa, ju faleminderit që na pritët në mjediset tuaja të punës. Në gjykimin tuaj, pse kanë patur shumë rëndësi marrëdhëniet ekonomike me Kinën në një periudhë të vështirë për vendin tonë, si vitet 60-80-të të shekullit të kaluar?

Prof.Dr. Selami Xhepa: Kënaqësi të bëjmë këtë bisedë. Pavarësisht trajektores historike që kanë patur marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kinës, ka një konstante të përhershme, që është ndjenja e miqësisë dhe respektit reciprok midis dy vendeve.

Padiskutim që në momente të caktuara historike, kur i referohemi periudhës së viteve 50-60-të të shekullit të kaluar, që me krijimin e shtetit kinez, Shqipëria ka qenë një nga vendet dashamirëse dhe mbështetëse e krijimit të Republikës Popullorë të Kinës në atë kohë dhe në kontekstin gjeopolitik të asaj kohe.

Pra, u krijua kështu një kontekts politik, që e solli Shqipërinë dhe Kinën në një marrëdhënie speciale brenda ish-kampit të vendeve  socialiste të  asaj periudhe.

Për faktin që Kina është mjaft e madhe dhe duke qenë me peshë përcaktuese në skenën botërore, kuptohet që marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën ishin marrëdhënie të privilegjuara dhe speciale.

Mendoj që ka qenë një marrëdhënie sacrifice nga populli kinez, pasi sot Kina është një nga vendet më të mëdha dhe moderne të botës, ndërsa në atë periudhë që po flasim, Kina ishte një vend ende jo mirë i zhvilluar.

Mbështjetja që i ka dhënë Kina Shqipërisë në mallra ushqimore, apo në krijimin e sektoreve të ndryshëm të vendit, sidomos në sektorin e energjisë, në zhvillimin e  industrisë së rëndë, në mbështetjen për modernizimin e bujqësisë.

Kjo e fundit, pasi gati deri në 10 mijë pajisje bujqësore kanë ardhur në atë kohë në Shqipëri nga Kina, kur vetë Kina e lëronte tokën me parmendë.

Po ta gjykojmë në atë periudhë, ka qenë një mbështetje e paçmuar për hedhjen e  themeleve të një ekonomie moderne shqiptare. Sigurisht, parë kjo, në kontekstin e atyre ekonomive që bazohen në ligjet e sistemit socialist.

Shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kinë (Foto CMG)

CMG: Kina sot është partneri i dytë më i madh tregtar i Shqipërisë në importe. Pse kanë rëndësi mallrat kineze për zhvillimin tonë ekonomik sot dhe në të ardhmen?

Prof.Dr. Selami Xhepa: Sot Kina është një ekonomi shumë moderne. Në fakt, jo nga sot, por duke filluar nga vitet 80-të të shekullit të kaluar, kohë e cila përkon me reformat e mëdha për modernizimin, të ndërmarra nga Deng Xiaoping, që ishte ideator i hapjes.

Kina tani është shndërruar në lokomotivë që udhëheq rritjen e ekonomisë botërore. Sot ajo kontribuon në 17 % të tregut botëror, po kaq sa kontribut jep i gjithë Bashkimi Europian.

Pra, po flasim për fuqinë e dytë ekonomike më të madhe dhe të rëndësishme për ekonominë botërore. Kina është e tillë, pasi është prezente në të gjithë sistemin e tregtisë ndërkombëtare.

Në veçanti, që nga antarësimi e Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë, penetrimi i mallrave kineze në ekonominë botërore ka njohur një zhvillim të madh dhe kontinenti europian është një nga tregjet më të rëndësishme, i cili tërheq sufiçitin e madh të kapacitetit të manifakturës, që ka krijuar Kina.

Shqipëria është modeste si treg, pasi ne jemi treg shumë i vogël, por   Kina është partnerja e dytë tregtare më e rëndësishme e vendit.

Arsyet themelore për këtë, lidhen me faktin se Kina është burim i produkteve mjaft kompetitive, sidomos në fushën e teknologjive të reja, çka e bën mallin kinez një produkt cilësor, por edhe me një çmim relativisht konkurrues, në krahasim me produktet e kompanive europiane. Dhe kjo i jep një avantazh strategjik firmave kineze, për të zgjeruar pjesën e tyre të  tregut edhe në ekonominë shqiptare.

CMG: Në nivel të investimeve të Kinës në ekonominë tonë, për fat të keq, mundësitë në kuadër të Nismës “Një Brez, Një Rrugë” nuk janë shfrytëzuar si duhet deri tani. Shikoni oportunitet që këto investime, të cilat në disa vende të rajonit tonë kanë ecur shumë mirë, të ndihmojnë edhe ekonominë e Shqipërisë?

Prof.Dr. Selami Xhepa:  Kina, në fakt, ka qenë shumë e suksesshme në investimet në shumë nga vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, përfshirë edhe rajonin tonë, në kuadrin e këtij projekti madhor “Një Brez, Një Rrugë”.

Dhe efekti i nismës kineze duket që është i qartë, pasi shumë nga këto vende kanë patur modernizim të infrastrukturës. Mirëpo, duke parë edhe në kontekstet e reja gjeopolitike, pra të politikave të jashtme ekonomike, që po ridimensionohen, sigurisht që do të ketë një ridimensionim të marrëdhënieve edhe brenda vetë Europës. Dhe kjo po ndikon edhe në riorientimin e tregtisë dhe të rrjedhës së investimeve.

Sidoqoftë, mendoj që, thënë kjo, investimet nga Kina janë të mirëpritura tek ne, sidomos kur flasim për sektorin privat të ekonomisë, duke patur parasysh që mundësitë buxhetore të Shqipërisë janë gjithmonë të kufizuara.

Pra, kapacitetet tona fiskale për huanmarje janë gjithmonë të kufizuara. Kjo e bën të vështirë pjesëmarrjen e një investitori të madh, siç është Kina, në një treg kaq të vogël dhe me mundësi të kufizura financiare, siç është Shqipëria.

Ky mendoj se është faktori kryesor, pse Shqipëria nuk tërheq dot investime në shkallë të gjerë, sikurse kanë mundur të bëjnë vendet e tjera të rajonit.

CMG: Zonat e lira ekonomike janë një model biznesi që ndiqet nga të dyja vendet tona, pavarësisht se në Shqipëri nisma të tilla nuk kanë patur shumë sukses. A mund të përfitojmë ne nga përvoja kineze? A i shikoni zonat e lira ekonomike si të suksesshme në ekonominë tonë në të ardhmen?

Prof.Dr. Selami Xhepa: Kina është modeli i suksesit të zonave të lira, dhe kjo është mënyra se si e ka filluar Kina modernizimin, që në vitet 80-të.

Mjafton të kujtojmë zonat e lira ekonomike të Shenzhen, Hainan, etj. Ato zona që ishin dikur toka kënetore dhe të braktisura, të mbushura me reparte ushtarake, sikurse janë bunkeret tona të famshme sot, u shndërruan në shtyllat më të rëndësishme të modernizimit të ekonomisë së Kinës. Sot Shenzheni është një nga qendrat më të rëndësishme të inovacionit dhe teknologjive të reja në botë.

Pra, zonat e lira ekonomike kanë qenë instrumenti kryesor që ka përdorur Kina dhe që janë marrë edhe nga vendet e tjera të Azisë, si Malajzia etj.

Në kontekstin e Shqipërisë, ne e kemi filluar me Ligjin për Zonat e Lira Ekonomike që në vitin 1996, por nuk kemi patur mundësi t’i shndërrojmë këto zona në instrumente të fuqishëm zhvillimi. Mendoj që problemet kryesore kanë qenë tek motivimi apo ofrimi i incentivave për zhvillime të veçanta brenda këtyre zonave, dhe duke pare kompleksitetin e tranzicionit në Shqipëri, ku mpleksen kthimi i pronave, kompensimi, procesi i privatizimit, etj.

Këto kanë qenë barrierat reale, që nuk e kanë mundësuar përdorimin e një instrumenti të tillë. Por sidoqoftë, po të shikojmë që Maqedonia e Veriut ka patur sukses, besoj është e mundshme që Shqipëria të krijojë një model suksesi, të paktën në një zonë të vetme ekonomike, në mënyrë që t’u japim një shans dhe mundësi përdorimit të këtyre instrumentave të zhvillimit.

CMG: Ende, megjithë interesimin e firmave kineze shtetërore dhe private për produktet tona të eksportit dhe potencialin, eksportet tona drejt Kinës janë në një nivel shumë modest. Si mund të rriten ato ndjeshëm në të ardhmen?

Shqipëri-Kinë (Foto Argumentum.al)

Prof.Dr. Selami Xhepa: Në fakt janë tregje të paeksploruara për Shqipërinë. Mendoj që Kina është treg jashtëzakonisht i madh, është një magnet.

Madje sot rritja e Kinës po mbështetet tek konsumi i brendshëm, më shumë sesa thjesht tek eksportet. Kjo është pjesë e strategjisë globale, teoria e balancimit, meqe kemi patur një surplus, mbiprodhim nga ana e Kinës dhe një defiçit të madh nga ana e Perëndimit.

Nevoja e ribalancimit ka kërkuar rritjen e tregut të brendshëm, gjë që ka përkuar me një rritje të ndjeshme të kërkesës agregate.

Shqipëria është një vend i vogël në dimensionet e veta, por mund të kërkojmë tregje për shitjen e produkteve, duke mbajtur në konsideratë faktin që Shqipëria është një vënd që njihet, sidomos nga brezat e vjetër në Kinë.

Ende atje, kur thua që jam nga Shqipëria, gëzojmë simpati të veçantë tek ata. Pra, Shqipëria nuk është vend që nuk njihet në Kinë.

Por kjo kërkon që dhomat e tregtisë, të gjitha organizatat e biznesit në tërësi, të marrin pjesë në panaire, të intensifikojnë lidhjet tregtare me këtë vend. Gjithashtu, edhe rrjeti i institucioneve tona publike, që merren me promovimin e Shqipërisë, duhet të jetë sa më aktiv, për të eksploruar mundësitë në këtë treg interesant.

CMG: Si e shikoni të ardhmen e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike mes Shqipërise dhe Kinës?

Prof.Dr. Selami Xhepa: E përmenda pak, që në kontekstin e ri gjeopolitik qe po krijohet, ka një lloj ridimensionimi të politikave ekonomike në shkallë globale, Shqipëria pa dyshim që ka zgjedhur tregun e vet strategjik dhe aleatin kryesor strategjik, që është Bashkimi Evropian.

Shqipëria është në proces të integrimit evropian dhe nga kjo pikëpamje, diplomacia ekonomike dhe politikat ekonomike të Shqipërisë do të jenë fort të lidhura me qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Me sa duket, edhe vetë Bashkimi Evropian është në një proces të rishikimit të të gjitha marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare në nivel global.

Kina pa diskutim që shikohet si një treg me rëndësi. Ky proces i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes BE-së dhe Kinës, mendoj se do të ndikojë ndjeshëm edhe në pozicionimin që do të mbajë Shqipëria në këtë kontest.

Bazuar në konceptet e industrive strategjike dhe të sigurisë kombëtare, do të kemi ndoshta një ripërshtatje të politikave. Në këtë kuadër, sigurisht që Shqipëria e konsideron Kinën një treg mjaft të rëndësishëm dhe gjykoj se do ta ketë një partner kryesor ekonomik edhe në vitet e ardhshme.

 

Intervistoi Fatos Çoçoli