Mëngjesin e së premtes u mbajt në Pekin Konferenca Kombëtare për Nderimin e Unitetit dhe Progresit Etnik. Presidenti Xi Jinping mori pjesë në konferencë dhe mbajti një fjalim të rëndësishëm. Ai theksoi nevojën për të zbatuar plotësisht mendimin e socializmit me karakteristika kineze për epokën e re, veçanërisht mendimet e rëndësishme të Partisë për përmirësimin dhe forcimin e punës etnike. Duhet ruajtur si vijë kryesore ndërgjegjësimi për ndërtimin e një komuniteti të përbashkët të kombit kinez. Duhet promovuar vazhdimisht uniteti dhe progresi etnik. Duhet zhvilluar puna e partisë për çështjet etnike në epokën e re, për të ndërtuar një vend të fuqishëm dhe një ripërtëritje kombëtare përmes modernizimit të stilit kinez.
Foto nga VCG
Ndërkohë gjatë konferencës u nderuan me çmime 352 grupe model dhe 368 individë model. Xi Jinping dhe të tjerë i dorëzuan çmimet përfaqësuesve të individëve dhe grupeve.
Xi Jinping mbajti gjithashtu një fjalim të rëndësishëm. Ai vuri në dukje se PKK gjithmonë i ka kushtuar rëndësi të madhe punës etnike.
Që nga Kongresi i 18-të i PKK-së, ka përparuar në vazhdimësi përshtatja e teorisë së marksizmit për kombet me kontekstin kinez dhe epokën e re, duke vendosur si vijë kryesore ndërgjegjësimin për ndërtimin e një komuniteti të përbashkët të kombit kinez dhe si prioritet për zonat etnike. Kjo ka çuar në përparimin e mendimeve të rëndësishme të Partisë për përmirësimin e punës etnike, duke lejuar që zonat etnike të fitojnë betejën kundër varfërisë dhe të ndërtojnë një shoqëri të begatë në mënyrë të gjithanshme, si edhe të nisen drejt një udhëtimi të ri për ndërtimin e një vendi modern socialist.
Xi Jinping theksoi se rruga e Kinës për zgjidhjen e çështjeve etnike, fokusohet tek interesat themelore dhe të përgjithshme të kombit kinez, duke bashkuar maksimalisht të gjitha grupet etnike, për të arritur përpjekje dhe zhvillim të përbashkët. Ai theksoi rëndësinë e barazisë së plotë për të gjitha grupet etnike, duke kundërshtuar shtypjen dhe diskriminimin etnik, për të siguruar që të gjitha grupet të kenë të drejta të barabarta politike dhe të jenë bashkëpronarë të vendit.
Xi Jinping nënvizoi se kombi kinez është një komb i madh, me një histori qytetërimi mbi pesëmijëvjeçare. Të gjitha grupet etnike kanë bashkëpunuar për të zhvilluar hapësira të mëdha të vendit, kanë krijuar një vend të bashkuar multietnik, kanë shkruar së bashku historinë e lavdishme, kanë krijuar një kulturë të pasur kineze dhe kanë kultivuar një shpirt të madh kombëtar.
Xi theksoi se për të nxitur modernizmin e stilit kinez dhe për të realizuar mirëqënien e përbashkët, asnjë grup etnik nuk duhet të lihet pas. Duhet të përshpejtohet zhvillimi me cilësi të lartë i rajoneve etnike, duke nxitur një ndërlidhje më të ngushtë ekonomike midis rajoneve, për të promovuar në mënyrë të qëndrueshme mirëqënien e përbashkët të të gjitha grupeve etnike. Duhet të nxitet integrimi i gjithanshëm i grupeve etnike, duke promovuar aktivisht shkëmbimet midis tyre.
Xi Jinping theksoi se çështjet etnike duhet të trajtohen sipas ligjit, duke përmirësuar vazhdimisht aftësitë dhe nivelin e qeverisjes mbi çështjet etnike. Duhet të mbrohet dhe të përmirësohet sistemi i autonomisë rajonale etnike, duke përmirësuar gradualisht ligjet, rregulloret përkatëse dhe politikat mbështetëse, për të garantuar në mënyrë ligjore të drejtat dhe interesat e të gjitha grupeve etnike. Duhet forcuar edukimi dhe promovimi i sundimit të ligjit, duke udhëhequr të gjitha grupet etnike në rritjen e ndërgjegjësimit për shtetësinë, qytetarinë dhe sundimin e ligjit.
Në konferencë, mbajtën fjalime edhe përfaqësuesit e individëve dhe grupeve model të nderuar.