foto VCG
Presidenti Vladimir Putin paralajmëroi Perëndimin se Rusia mund t’i përdorë armët bërthamore nëse goditet me raketa konvencionale. Ai tha se çdo sulm ndaj Rusisë me mbështetjen e një fuqie bërthamore do të konsiderohej nga Moska zyrtare si sulm i përbashkët, shkruan “RTSH”.
Presidenti Putin tha në hapje të takimit të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, se doktrina e re bërthamore reflektonte ndryshimet globale të cilat paraqesin rreziqe dhe kërcënime të reja për Rusinë.
“Propozohet që agresioni ndaj Rusisë nga çdo shtet jo bërthamor, por me ndihmën ose mbështetjen e një shteti bërthamor, të konsiderohet si sulm i tyre i përbashkët ndaj Federatës Ruse. Kushtet që do të detyronin Rusinë që të përdorë armët bërthamore janë të përcaktuara qartë”,- tha presidenti Putin.
Ai theksoi se Rusia do ta shqyrtonte një veprim të tillë nëse zbulon fillimin e një goditje masive ndaj saj me raketa, avionë apo dronë.
Sipas Putin, Rusia rezervon të drejtën që gjithashtu të përdorë armë bërthamore nëse ajo ose Bjellorusia aleate do të ishin objektiv i një agresioni, përfshirë sulmet me armë konvencionale.
Udhëheqësi rus tha se sqarimet ishin kalibruar me kujdes dhe në përpjesëtim me kërcënimet ushtarake moderne me të cilat përballet Rusia. (Irma)