Një linjë e re trenash do të lidhë Parisin me Berlinin
2024-09-27 17:43:11

Operatorët hekurudhorë kombëtarë francezë dhe gjermanë “SNCF” dhe “Deutsche Bahn” kanë njoftuar se një shërbim i ri direkt dite midis Parisit dhe Berlinit do të hyjë në funksion përpara fundit të vitit, më 16 dhjetor.

 

Kjo linjë e re direkte do të nisë pas linjës së parë të natës mes dy qyteteve, që u vu në fuksionim vitin e kaluar pas një ndërprerjeje nëntëvjeçare, pasi opinioni publik gjihmonë e më shumë po kthehet kundër fluturimeve me distanca të shkurtra. Shërbimi ka rezultuar shumë popullor dhe kjo linjë do të rikthehet në fund të tetorit pas një mbylljeje të përkohshme për mirëmbajtje.

 

foto: VCG

foto: VCG

Shërbimi i ri midis Paris Gare de l'Est dhe Berlin Hauptbahnhof u njoftua në panairin tregtar të teknologjisë së transportit “InnoTrans 24” në Berlin.

"Kjo është lidhja e parë e drejtpërdrejtë në oraret e ditës midis kryeqyteteve të Gjermanisë dhe Francës dhe është gjithashtu një simbol i një Europe në rritje",- tha Michael Peterson, një anëtar i bordit të “Deutsche Bahn”.

Drejtori menaxhues i operatorit hekurudhor kombëtar francez “SNCF”, Alain Krakovitch, shtoi se linja e re është dëshmi e mëtejshme e miqësisë franko-gjermane dhe kontribuon në një qëllim të përbashkët të të dy vendeve: më shumë lëvizshmëri pa shumë ndotje të mjedisit. Operatorët theksojnë përfitimet mjedisore të udhëtimit hekurudhor, që çliron më pak dyoksid karboni.

 

foto: VCG

foto: VCG

Udhëtimi hekurudhor mes Berlinit dhe Parisit do të zgjasë rreth tetë orë, pak më gjatë se sa ishte menduar fillimisht.

 Linja e re do të ketë stacione në Strasburg, Karlsruhe dhe Frankfurt Sud. Shërbimi do të përdorë linja me shpejtësi të lartë nga Parisi në Strasburg dhe nga Frankfurti në Berlin.

E vetmja lidhje aktuale e ditës midis këtyre dy qyteteve zgjat një orë më shumë dhe përfshin disa ndryshime, pasi nuk është e drejtpërdrejtë. Shërbimi po synohet si për udhëtarët që lëvizin për kënaqësi e turizëm, ashtu edhe për ata që udhëtojnë për arsye biznesi.

 

Dy operatorët presin kërkesë të lartë në momentin që do të hapen rezervimet për rreth 530 vende në secilin shërbim më 16 tetor. Biletat do të shiten mbi një bazë çmimi dinamik, që do të thotë se çmimet e tyre do të rriten dhe do të bien në varësi të kërkesës. Megjithatë,  mediat  raportojnë se çmimi i një bilete të klasit të dytë me një drejtim pritet të fillojnë nga 59 euro (65 dollarë). Nëse rezulton i sukseshëm, operatorët do të shohin mundësinë e shtimit të linjave.

Biletat për trenin ka të ngjarë të jenë pak më të shtrenjta se biletat e avionëve për të njëjtën linjë, por Peterson tha se kërkesat për udhëtime ndërkombëtare me tren janë rritur me shpejtësi. Sipas tij, kjo është arsyeja pse kompania po kërkon gjithashtu që të hapë linja të reja hekurudhore nga Mynihu në Milano dhe Romë në vitin 2026, në partneritet me operatorin italian “Trenitalia”.

 

foto: VCG

foto: VCG

Aktualisht, ka disa shërbime ekzistuese trenash që lidhin Frankfurtin në Gjermani me Bordeaux në jugperëndim të Francës dhe portin kryesor jugor francez të Marsejës.

 

Shërbimi i ri është produkti më i fundit i partneritetit “Alleo”, të cilin kompanitë hekurudhore franceze dhe gjermane e kanë operuar që nga viti 2007, duke përfshirë staf në bord nga të dyja vendet.

Duke folur në “InnoTrans”, Krakovitch tha se “Alleo” ka rezultuar një histori suksesi që nga viti 2007, duke transportuar 32 milionë pasagjerë që nga fillimi i shërbimit, duke përfshirë 24 milionë pasagjerë ndërkombëtarë. Numri i udhëtarëve është rritur me 4% në vitin 2024, tha ai, dhe shkalla e rezervimeve është  81%.