Më 1 tetor në Kinë shënohet 75 vjetori i themelimit të Republikës Popullore, ndërsa më 23 nëntor Shqipëria dhe Kina shënojnë 75 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Shqipëria ishte një nga vendet e para që njohu dhe vendosi marrëdhënie diplomatike me Kinën dhe ka dhënë një kontribut historik në rivendosjen e vendit të Kinës në Kombet e Bashkuara. Forcimi i marrëdhënieve dypalëshe në vitet 60-70 të shekullit të kaluar, ndërprerja e njëanëshme e tyre nga regjimi komunist i kohës në Shqipëri, rivendosja e këtyre marrëdhënieve dhe ristartimi i tyre në vitet 90-të kur Shqipëria nisi rrugën e ekonomisë së tregut, krijoi një model të ri marrëdhëniesh dhe shkëmbimesh. Historia 75 vjeçare e marrëdhënieve shqiptaro-kineze, ulje-ngritjet e saj, trajektorja dhe modeli i zhvillimit të saj komentohen në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës nga kryetari i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, ish zëvendësministër i jashtëm i Shqipërisë, Dr. Albert Rakipi.
75 vjetori i themelimit të Republikës Popullore të Kinës (Foto nga Global Times)
CMG: Marrëdhëniet Shqipëri-Kinë në vështrim të parë kanë një disproporcion gjeografik, sepse janë dy vende larg, demografik, sepse Kina është një vend me 1.4 miliard banorë dhe Shqipëria 2.8 milion banorë, ekonomik, Kina ekonomia e dytë e botës, Shqipëria vend në zhvillim, si dhe në plan kulturor, Kina, një kulturë e lashtë 5 mijëvjeçare aziatike dhe Shqipëria vendi i një kulture të lashtë europiane. Si do ta përcaktonit këtë marrëdhënie?
Dr. Albert Rakipi:Është një periudhë e gjatë kohore, një marrëdhënie me ulje-ngritje dhe është një marrëdhënie asimetrike. Shqipëria një vend i vogël nga përmasat, popullsia, ekonomia, por dhe nga roli që ka secili vend në politikat ndërkombëtare, kurse Kina është një vend i madh dhe një fuqi globale në politikën ndërkombëtare dhe ekonominë. Në këto 75 vjet janë zhvilluar marrëdhënie dhe kanë qenë mjaft të rëndësishme për Shqipërinë.
Së pari duhet thënë se këto marrëdhënie kanë funksionuar bazuar në një ideologji të caktuar gjatë Luftës së Ftohtë dhe kanë qenë të rëndësishme në disa plane. Kanë qenë të rëndësishme për Shqipërinë, por dhe për Kinën, e cila nuk e ishte e përfaqësuar në sistemin ndërkombëtar, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa pozicioni i saj i sotëm është anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Pritja zyrtare per 75-vjetorin e marredhenieve Shqiperi-Kine, ambasadorja kineze ne Tirane (Foto nga CMG)
Shqipëria në këtë kontekst ka luajtur një rol, por nga ana tjetër ajo ka përfituar mjaft nga marrëdhëniet me Kinën. Në planin ekonomik të Shqipërisë, pas prishjes së marrëdhënieve me ish Bashkimin Sovjetik të vendit tonë, Kina zhvilloi bazën industriale të Shqipërisë dhe marrëdhëniet me Kinën ishin të vetmet që kishte Shqipëria në atë kohë.
Një shtet nuk ekziston pa marrëdhënie, pa shkëmbime, pa komunikuar me shtetet e tjera dhe pavarësisht nga fakti që ishte ideologjia që i afroi të dy vendet në kontekstin e Luftës së Ftohtë, janë arritur rezultate të cilat kanë qenë mjaft të rëndësishme për ekonominë shqiptare, e cila në atë periudhë ka qenë përgjithësisht një ekonomi agrare, e varfër dhe pa një shkallë industrializimi.
CMG: Edhe në hartën e sotme industriale duket ky ndikim
Dr. Albert Rakipi: Po dhe kjo për shkak të marrëdhënieve ekonomike që ka patur Shqipëria me Kinën. Këto marrëdhënie asimetrike në fakt Shqipëria i ka patur dhe me ish Bashkimin Sovjetik, që ka qenë një fuqi e madhe e kohës. Është i njejti kontekst, por kur regjimi komunist në Shqipëri vendosi të shkëputej për shkaqe ideologjike, kur Kina ndërmori një kurs tjetër revizionimi të hapjes në marrëdhënie me SHBA. Në këtë moment, siç e dimë Shqipëria vendosi të ndërpriste marrëdhëniet me Kinën dhe kjo pati impakte të jashtëzakonëshme ekonomike, por edhe sociale. Mund të themi se u poqën kushtet që në Shqipëri të kishim një shtet krejtësisht të dështuar me një ekonomi krejtësisht të falimentuar.
CMG: Shumë nga studiuesit shqiptarë në këtë studio e kanë cilësuar këtë shkëputje si të dëmshme për Shqipërinë
Dr. Albert Rakipi: Absolutisht po. Ishte koha kur Kina ndërmori një kurs të ri që ka dhënë frytet e veta më vonë në shndërrimin e Kinës në një fuqi të madhe konkurruese në nivel botëror.
Shkëmbimet ekonomike Shqipëri-Kinë (Foto nga CMG)
CMG:Në rastin e marrëdhënieve shqiptaro-kineze në artikujt tuaj, por dhe në forume ndërkombëtare i jeni përmbajtur definicionit “agree to disagree”. Ky definicion ka në qendër tolerancën në raste konfliktesh dhe midis Shqipërisë e Kinës nuk ka ndonjë konflikt. Ju si studiues i politikës ndërkombëtare, ish diplomat i lartë, si e përqasni me marrëdhëniet Shqipëri-Kinë?
Dr. Albert Rakipi: Këto janë marrëdhënie të rëndësishme. Institucionet vendimarrëse të politikës këtu duhet të kuptojnë që Kina është një fuqi e madhe dhe ne jemi një vend shumë i vogël, modest në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndaj kemi nevojë për një politikë 360 gradë me të gjitha vendet, duke respektuar orientimin tonë properëndimor, jemi një vend anëtar i NATO-s, marrëdhënie shumë të mira strategjike me vende të tjera të rëndësishme, me SHBA-në, me vendet anëtare të BE-së, jemi një vend që aspirojmë të anëtarësohemi në BE.
Personalisht jam pro një politike 360 gradë, duke respektuar këtë lloj identiteti dhe këto principe që Shqipëria ka në arenën ndërkombëtare. Në këtë kontekst është formula “agree to disagree” për një numër vendesh që në raport jo vetëm me Kinën por dhe me vende të tjera, mund të mos bien dakord për një numër çeshtjesh të caktuara, të cilat mund të jenë edhe të rëndësishme, por kjo nuk do të thotë, sipas meje, të refuzojmë në mënyrë kategorike marrëdhëniet. Çdo vend shikon interesat e veta shtetërore, ekonomike e të tjera dhe besoj se shembujt i kemi të qartë.
Të ndjekim shembujt e vendeve anëtare të BE-së, nuk po them Gjermaninë ose Italinë, sepse janë vende shumë të rëndësishme dhe fuqi europiane që bëjnë politikat europiane dhe me rol në politikat globale, por ka vende të tjera anëtare të BE-së, përveç se anëtare të NATO-s, siç është Sllovenia dhe Kroacia. Këto vende janë më përpara se ne dhe janë pjesë e një familjeje që ndajnë të njejtat vlera. Duhet të ndjekim shembujt e këtyre vendeve për të zhvilluar marrëdhëniet me Kinën, duke prevaluar gjithmonë interesi shtetëror dhe kombëtar. Në këtë kontekst besoj se duhen orientuar marrëdhëniet me Kinën dhe 75 vjetori është një moment i mirë reflektimi për të dyja palët, një gjigant siç është Kina dhe një vend i vogël modest siç jemi ne, por me avantazhet dhe interesat që kemi.
Duhet një proces reflektimi për të parë se cilat mund të jenë zhvillimet e reja në marrëdhëniet ekonomike, sepse kjo është e rëndësishme
CMG: Në veprimtarinë e Institutit të Studimeve ndërkombëtare, që ju drejtoni, një think tank i rëndësishëm jo vetëm në vend por dhe në Ballkanin Perëndimor, sa hapësirë kanë zënë marrëdhëniet Shqipëri-Kinë? Këtë vit instituti juaj ka patur veprimtari dhe shkëmbime në këtë drejtim. Shkëmbimet me institucione kineze të studimeve ndërkombëtare në çfarë niveli janë?
Dr. Albert Rakipi: Ka patur dhe do të ketë dhe të tjera. Ne kemi një marrëdhënie të konsoliduar me një numër universitetesh të komunitetit think tank në Pekin dhe Shangai. Është një komunikim i vazhdueshëm, sikundër është komunikimi me një numër qendrash kërkimore në Kinë me komunitetet think tank dhe qendrat kërkimore në Bashkimin Europian dhe SHBA.
Më kanë bërë shumë përshtypje dhe ndjek me vemendje takimet konsultative dhe konferencat që organizohen në Pekin nga qendrat më të rëndësishme kërkimore, pavarësisht se janë të financuara nga shteti, si dhe qendrat kërkimore me SHBA dhe BE. Aty shpalosen një numër idesh, propozimesh, shkëmbehen pikëpamje dhe sigurisht që ka kundërshtime apo papajtueshmëri për të gjitha çeshtjet, por është një pikë e mirë për të kuptuar zhvillimet dhe për të inkurajuar qendrat vendimarrëse kudo ku janë. Ne përpiqemi të bëjmë të njejtën gjë me partnerët tanë.
Së fundi kishim këtu një delegacion të Akademisë së Shkencave Sociale të Kinës, i përbërë nga disa profesorë shumë të njohur dhe të vlerësuar dhe në rrafshin europian dhe botëror për të diskutuar çeshtje që janë me interes për Shqipërinë dhe rajonin.
Sigurisht që kemi dhe një kuriozitet akademik për të diskutuar me kolegët tanë nga Pekini ose Shangai idetë, për politikën e jashtme të Kinës në një kontekst ndërkombëtar mjaft dramatik siç është lufta, agresioni rus ndaj Ukrainës, por dhe kriza në Lindjen e Mesme. Kam lexuar së fundmi një material jashtëzakonisht informues të përgatitur nga qendrat kërkimore në Kinë për këtë, të botuar në “Foreing Affairs”, që është një nga revistat më të mira në SHBA, e cila i referohej ideve dhe vlerësimeve, por dhe gjetjeve që disa qendra kërkimore në Kinë kishin për luftën, çfarë impakte negative ka dhënë lufta, agresioni rus ndaj Ukrainës edhe për Kinën, duke e dëmtuar në pikëpamje ekonomike.
Dr. Albert Rakipi në intervistë për CMG
Kjo është e rëndësishme për interesat e kërkuesve dhe studiuesve për të analizuar këtë konflikt dhe impaktet negative, jo vetëm në një zonë gjeografike siç është Europa, sepse konflikti praktikisht është në zemër të Europës, por ka ndikime të jashtëzakonëshme për shkak të globalizimit. Ky është një proces që ne e ndjekim me vemendje. Termi “agree to disagree” thënë kështu duket shumë diplomatik, por në fakt ka një numër çeshtjesh për të cilat ne kemi pikëpamje krejt të tjera, siç ka dhe çeshtje për të cilat mund të bashkëpunohet. Ne do ta vazhdojmë këtë gjë dhe planifikojmë që ndoshta brenda këtij viti ose në gjysmën e parë të vitit që vjen të kemi një refleksion dhe një studim më të plotë, që analizon këtë trajektore historike të marrëdhënieve ekonomike me ulje-ngritjet e veta që kanë pasur në kontekstin ideologjik, tani në një kontekst krejt tjetër dhe me rekomandimet përkatëse. Kjo është detyra jonë, pastaj çfarë bën politika dhe vendimarrësit dhe institucionet, kjo është një çeshtje tjetër.
Intervistoi Eda Merepeza