Gjermani, "InnoTrans" vërteton prirjen e zhvillimit të transportit
2024-09-27 14:42:11

Fjala kyçe: 运输---[yùn shū]---transport

foto VCG

foto VCG

Edicioni i 14-të i Panairit Ndërkombëtar të Tregtisë për Teknologjinë e Transportit të Berlinit ("InnoTrans") zhvillohet nga 24 deri më 27 shtator. Si veprimtaria e nivelit më të lartë të degës së komunikacionit me binarë, ky panair ka tërhequr mbi 2900 pjesëmarrës nga 59 vende e rajone të botës, të cilët demonstrojnë rezultatet e fundit dhe prirjen e zhvillimit të kësaj dege.

Në këtë panair, me temë "E ardhmja e transportit", është diskutuar kryesisht për mundësinë e përdorimit të inteligjencës artificiale (IA) dhe të energjisë së hidrogjenit në transportin me binarë, gjë që tregon drejtimin e ardhshëm të kësaj dege.

Ndërmarrjet e transportit me binarë nga vende të ndryshme të botës kanë paraqitur në panair përdorimin prej tyre të teknologjisë IA në sistemin hekurudhor, përfshirë orarin e trenave, planifikimin e linjave, mirëmbajtjen e pajisjeve etj., duke përfshirë pothuajse çdo hallkë të funksionimit të hekurudhës.

foto VCG

Ctirad Klimanek, specialist çek i teknologjisë hekurudhore,  i tha gazetarit të CMG-së se ka marrë pjesë në këtë panair qysh 10 vjet më parë dhe sivjet ai ka parë se kompanitë nga vende të ndryshme të botës i kushtojnë shumë rëndësi IA-së.

Kompanitë hekurudhore mund të përmirësojnë funksionin e hekurudhës me IA, duke mbledhur më shumë të dhëna për të ngritur efektivitetin. Kjo është e ardhmja, vuri në dukje Klimanek, duke shtuar: "Kam lidhje të ngushta me partnerë kinezë, që janë të aftë në integrimin e IA-së me funksionimin e hekurudhës. Po përpiqem të mësoj prej tyre. Njohuritë nga Kina për transportin me binarë dhe dijet e mia për rrjetin evropian përplotësojnë njëra-tjetrën. Të dyja palët mund të bashkëpunojnë për një zhvillim më të mirë".

Krahas IA-së, edhe energjia e hidrogjenit vlerësohet si një nga drejtimet kyçe për tranzicionin e gjelbër të transportit me binarë në të ardhmen. Në këtë panair demonstrohen shumë trena me karburant hidrogjenin, duke tërhequr vëmendjen e shumë vizitorëve. Këta trena pritet të zëvendësojnë trenat tradicionalë me motor me djegie të brendshme.

foto VCG

Liang Caiguo, projektues i nivelit të lartë i kompanisë kineze "Sifang" pranë Korporatës CRRC, bëri të ditur se në panairin e sivjetshëm, treni inteligjent i fundit me energji të re për transportin ndërqytetës, i studiuar e i prodhuar  në mënyrë të pavarur nga Kina, realizon shkarkimin zero të karbonit dhe ka tregues më të mirë për sa i përket shpejtësisë, kapacitetit të udhëtarëve dhe rrezes së udhëtimit se produktet e kësaj kategorie në botë. Ky tren do të jetë në ndihmë të tranzicionit të gjelbër të transportit të udhëtarëve me hekurudha joelektrike.

Pasi provoi një sërë shërbimesh inteligjente në vagonin e këtij treni dhe u njoh me të dhënat e harxhimit të energjisë, Falk Andre Katins, një gjerman i apasionuar pas trenave, tha: "Ky tren me energji të re është i jashtëzakonshëm. Asnjë tren tjetër nuk më ka lënë përshtypje aq të thella, me energji 100% hidrogjeni dhe shkarkim zero të karbonit. Me shpejtësinë prej 160 km për orë, mund të realizojë një rreze udhëtimi prej 1200 km. I pakrahasueshëm me të tjerë! Një tren i tillë mund ta pakësojë me 740 tonë shkarkimin e karbonit në vit dhe është kështu një gur kilometrik në zhvillimin e vazhdueshëm të transportit."