Mbreti Abdullah i Jordanisë: Shkalla e sulmeve izraelite në Gaza, përtej çdo justifikimi
2024-09-26 16:56:13

foto: RTSH

foto: RTSH

Mbreti Abdullah i Jordanisë e shfrytëzoi fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për konfliktin izraelito-palestinez, duke kritikuar luftën në Gazë nga Izraeli, politikat e tij në Bregun Perëndimor dhe sulmet ndaj Hezbollahut në Liban.

“Sulmet e 7 tetorit 2023 ndaj civilëve izraelitë u dënuan nga vende në mbarë botën, duke përfshirë Jordaninë, por shkalla e paprecedentë e terrorit mbi Gazën që nga ajo ditë është përtej çdo justifikimi. Sulmi i qeverisë izraelite ka rezultuar në një nga normat më të shpejta të vdekjeve në konfliktet e fundit, një nga normat më të shpejta të urisë të shkaktuar nga lufta, grupin më të madh të fëmijëve të amputuar dhe nivele të paprecedenta të shkatërrimit. Kjo qeveri izraelite ka vrarë më shumë fëmijë, më shumë gazetarë, më shumë punonjës të ndihmës dhe më shumë personel mjekësor se çdo luftë tjetër”, - tha Abdullah, citon “RTSH”.

Nga ana e tij, Izraeli ka bërë të ditur se nuk ka në shënjestër civilët, por Hamasin. Sipas Tel Avivit zyrtar, Hamasi i ka kthyer në mburoja civilët palestinezë.

Ndërkaq, udhëheqësi jordanez bëri thirrje gjithashtu për krijimin e një mekanizmi mbrojtës për palestinezët në Bregun Perëndimor dhe Gaza.

“Kjo do të garantojë sigurinë e palestinezëve dhe izraelitëve nga ekstremistët që po e çojnë rajonin tonë në prag të një lufte gjithëpërfshirëse”,- u shpreh ai.

Duke iu referuar shkurtimisht konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut, lideri jordanez tha se asnjë vend në rajon nuk përfiton nga përshkallëzimi. (Elona)