Denaj: Politikat bujqësore rajonale mbështesin fermerët dhe sigurinë ushqimore
2024-09-26 18:11:47

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj (Foto RTSH)

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj (Foto RTSH)

Ministrat e Bujqësisë të Europës Juglindore  u mblodhën në takimin e 18-të vjetor në  Shkup, ku u diskutua mbi zhvillimet e ardhshme në sektorët e bujqësisë, zhvillimit rural dhe rritjes së bashkëpunimit rajonal në këtë fushë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, në fjalën e  mbajtur në këtë takim theksoi  se zhvillimet e shumta të kohëve të fundit sollën nevojën për të reduktuar varësitë dhe për të diversifikuar zinxhirët e furnizimit, citon “ATSH”.

“Sektori bujqësor  po përballet me sfida të rëndësishme, duke përfshirë çmimet e paqëndrueshme të tregut, ndikimin në rritje të ndryshimeve klimatike dhe aksesin e kufizuar në financa, gjë që pengon suksesin e fermerëve të vegjël”,- tha Denaj. Ministrja Denaj theksoi se qeveria shqiptare është e përkushtuar që të adaptojë praktikat më të mira dhe të përmirësojë bashkëpunimin, aksesin në treg dhe mundësitë e financimit për fermerët. Ajo i njohu të pranishmit me nismat e ndërmarra së fundmi nga ky institucion në mbështetje financiare për fermerët dhe agropërpunuesit, që synojnë modernizimin e sektorit bujqësor, në veçanti mbështetjen e inovacionit, investimin në teknologjitë e reja, rritjen e punësimit dhe përmirësimin e jetesës në zonat rurale.

Ministrat dhe krerët e delegacioneve pjesëmarrëse në këtë takim diskutuan dhe ndanë angazhimet e tyre politike për integrimin në BE dhe aspektet e politikave që lidhen me bujqësinë dhe zhvillimin rural, veçanërisht në lidhje me Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. (Elona)