Presidenti turk: OKB po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një strukturë jofunksionale
2024-09-26 16:40:46

foto: RTSH

foto: RTSH

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, nga Asambleja e 79-të e Përgjithshme e OKB-së, shprehu kritikat për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, që sipas tij kohët e fundit është kthyer në një strukturë jofunksionale.

Duke e fokusuar fjalimin e tij në çështjen e Gazës, Erdogan tha se si pasojë e sulmeve të Izraelit, Gaza është shndërruar në varrezën më të madhe të fëmijëve dhe grave në botë, citon “RTSH”.

Duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, presidenti pyeti: “Çfarë prisni për të parandaluar gjenocidin në Gaza, për t’i thënë stop këtij persekutimi, barbarie? Çfarë prisni për të ndaluar rrjetin e masakrës që po tërheq të gjithë rajonin në luftë për të ardhmen e tij politike?”.

Sipas presidentit turk, administrata izraelite po kryen spastrim etnik, gjenocid të qartë kundër një kombi dhe pushton tokat e tij duke shpërfillur të drejtat themelore të njeriut.

Ai theksoi se krijimi i një shteti palestinez të pavarur, sovran dhe gjeografikisht të integruar nuk mund të shtyhet më.