Veprime në banka (Foto revista Monitor)
“Rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishme. Ndaj, vlerësohet se të gjithë agjentët e ekonomisë kanë mundësinë ta shfrytëzojnë këtë periudhë të veprimtarisë për të konsoliduar bilancet e tyre financiare, për të përmirësuar kapacitetet administruese në përgjithësi dhe të rreziqeve në veçanti, si edhe për të rritur eficiencën e veprimtarisë.” Ky konstatim vjen nga Banka e Shqipërisë në Raportin e Stabilitetit Financiar për 6 mujorin e parë 2024. Në tërësi, vlerësohet që ekonomia shqiptare dhe sistemi financiar treguan zhvillime pozitive gjatë periudhës, pavarësisht sfidave. Rritja ekonomike mbeti e qëndrueshme pavarësisht ngadalësimit të rritjes së të ardhurave nga turizmi. Në tregun e punës ka vijuar rritja e pagave dhe e punësimit, dhe norma e papunësisë ka shënuar rënie të lehtë. Norma e inflacionit vijoi rënien, ndërkohë që mbiçmimi i kursit të këmbimit ndihmoi në balancimin e presioneve të brendshme inflacioniste. Diana Shtylla Zv. Drejtore e Departamentit te Stabilitetit Financiar pranë Bankës së Shqipërisë jep detajet e raportit.
“Të dhënat e publikuara gjatë gjysmës së parë të këtij viti flasin për zhvillimet pozitive në ekonominë botërore, në Eurozonë dhe në Ballkanin perëndimor. Rritja ekonomike është manifestuar në rritjen e konsumit dhe të investimeve private dhe është mbështetur në zhvillimet pozitive në tregun e punës në rimëkëmbjen e tregtisë dhe të shërbimeve dhe në kushte më të lehtësuara të financimit. Inflacioni global ka filluar rënien, por presionet inflacioniste mbeten ende të pranishme, gjë që ka ndikuar në masa të ndryshme, shpejtësinë e lehtësimit monetar nga ana e bankave qendrore. Për sa i përket zhvillimeve në ekonominë vendase deri në fund të periudhës flasim për një rritje pozitive dhe të krahasueshme me ato të periudhave të mëparshme, rritja e PPB në fund të 3 mujorit të parë të vitit, shënoi 3,6% dhe kjo rritje kishte një bazë të gjerë në drejtim të sektorëve, ndërkohë që dhe treguesit e tregut të punës siç janë norma e papunësisë, treguesit e pagave numri i të punësuarve flasin po ashtu për përmirësim të dukshëm në tregun e punës.”-u shpreh Shtylla.
Diana Shtylla (Foto Banka e Shqiperise)
Sipas Bankës Qendrore në vend, performanca fiskale evidentoi prirjen e fortë konsoliduese dhe njëkohësisht nevojën për përmirësim të shkallës së realizimit të investimeve publike.
“Nga ana tjetër dhe treguesit e sektorit fiskal kanë shënuar zhvillime pozitive në drejtim të deficitit buxhetor. Norma e inflacionit ka vijuar të bjerë dhe presionet inflacioniste janë më të kontrolluara në krahasim me periudhat e kaluara, gjë që në muajin korrik rezulton me një ulje të normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë nga 3.25 në 3%. Gjatë kësaj periudhe pavarësisht se rreziku nga sektori i bizneseve dhe nga sektori i individëve ka rënë, sipas hartës së stabilitetit financiar shikojmë një rritje të lehtë të notës së rrezikut që vjen nga ekonomia e brendshme dhe ekonomia e jashtme. Por faktori që ka ndikuar në rritjen e notës së rrezikut nga ekonomia e brendshme lidhet dhe me rritjen e nevojave për financim nga jashtë.”
Gjendja financiare e sektorit bankar dhe e sistemit financiar u paraqit e mirë dhe fitimi u rrit, ndonëse me ritme më të ngadalësuara.
“Për sa i përket zhvillimeve në tregun ndër bankar në tregun e titujve ato kanë qenë të ngjashme me periudha të kaluara si për sa i përket vëllimeve të emetimit ashtu dhe sa i përket termave të tregtimit. Në përgjithësi norma e interesit ka ndjekur ecurinë e normës bazë të interesit të vendosur nga Banka e Shqipërisë.”
Kredia e re e dhënë gjatë periudhës u rrit lehtë në krahasim me gjashtëmujorin e mëparshëm. Në këtë rritje kontributin e vetëm pozitiv e dha kredia për individët. Kjo kredi shkoi kryesisht për blerjen e pasurive të paluajtshme. Rritja e kredisë së re gjatë periudhës ishte ndjeshëm më e lartë se ajo e një viti më parë. Në këtë ndryshim, kontributin kryesor e dha rritja e kredisë së re në Lek, ndërkohë që rritja e kredisë së re në Euro e shprehur në Lek ishte më e vogël edhe për shkak të efektit statistikor të kursit të këmbimi.
“Pozicioni financiar i individëve dhe bizneseve trajtohet gjerësisht në raport, qoftë me shifra të statistikave bankare, qoftë me të dhëna nga vrojtimet nga këta tregues arrijmë në përfundimin që pozicionet përkatëse nuk kanë shënuar ndryshime të dukshme në krahasim me periudhat e kaluara, por vihet re një vijim i prirjes natyrale, për secilin sektor, pra pozicioni i individëve ka vazhduar të rrisë pozicionin e tij kreditor duke shtuar depozitat më shpejt se kreditë sesa sektori bankar, ndërkohë që sektori i bizneseve ka vijuar të thellojë pozicionin e tij debitor për shkak të rritjes së detyrimeve nga jashtë në formën e investimeve të huaja direkte dhe rritjes së detyrimeve ndaj sektorit bankar, duke qenë se kredia për bizneset është rritur disi më shpejt se depozitat që bizneset kanë vendosur në banka. Kredia ka shënuar rritje të konsiderueshme dhe rritja më e fortë është vënë re në portofolin e kredisë në lekë. Për sa i përket qëllimit të përdorimit , rritja e kredisë ka financuar më tepër sektorin e pasurive të paluajtshme qoftë ndaj individit apo ndaj sektorit të biznesit.”
Banka e Shqipërisë (Foto Facebook)
Sipas vrojtimit që bëjmë me bankat, bankat presin që kjo prirje me një kërkesë të fortë dhe të qëndrueshme nga të dy sektorët të vijojë edhe gjatë gjysmës së dytë të vitit. Ndërkohë rreziqet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta të tregut kanë qenë të kontrolluara.
“Sipas treguesve të analizave tona rreziqet në përgjithësi kanë qenë të kontrolluara dhe ekspozimi i sektorit bankar ndaj tyre rreziqeve nuk ka shfaqur ndryshime të ndjeshme. Në raport trajtohen gjerësisht rrezikun, një ndër rreziqet kryesore që me të cilat përballet sistemi financiar dhe sektori bankar në veçanti i cili është rreziku i kredisë. Sipas treguesve që disponojmë dhe publikojmë rreziku i kredisë ka qenë i kontrolluar, treguesit flasin për një rënie madje të këtij rreziku, raporti i kredive me probleme deri në fund të periudhës ishte rreth 4.7% dhe 0.5% më i ulët krahasuar me 1 vit më parë, gjë që flet për një përmirësim të cilësisë së kredisë në përgjithësi. Si stoku i kredive me probleme dhe ashtu dhe stoku i kredisë së përgjithshme janë rritur. Stoku i kredisë me probleme është rritur më ngadalë se stoku i kredisë së përgjithshme gjë që ka çuar në përmirësim të këtij raporti.”
Stoku i kredive me probleme u rrit gjatë periudhës me rreth 6%, duke u ngjitur në nivelin 37 miliardë lekë. Kjo rritje u vu re kryesisht në portofolin e kredisë në monedhën vendase, në kredinë afatshkurtër dhe në kredinë për bizneset. Në krahasim me një vit më parë, vlera e stokut të kredive me probleme nuk ka ndryshuar. Nga ana tjetër, për shkak të rritjes më të shpejtë të tepricës totale të kredisë, RKP-ja zbriti në 4.7% në fund të periudhës, duke shënuar një përmirësim të lehtë të cilësisë së kredisë.