Pirdeni nga Brukseli: Shteti i së drejtës, kryefjala e detyrimeve tona drejt familjes europiane
2024-09-26 18:14:59

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni (Foto RTSH)

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni (Foto RTSH)

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, zhvilluar në Bruksel. Fokusi kryesor i takimit ishte situata e shtetit të së drejtës në vendet e Bashkimit Europian dhe në vendet kandidate për anëtarësim në BE.

Në fjalën e mbajtur, ministrja Pirdeni riafirmoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për të çuar përpara punën për forcimin e shtetit të së drejtës, bën të ditur “RTSH”.

“Në këtë drejtim, konsolidimi i një gjyqësori të reformuar, të mbështetur mbi parimet e integritetit dhe profesionalizmit, si dhe përforcimi i masave ligjore dhe hetimeve administrative në luftën kundër korrupsionit, janë prioritete absolute të qeverisë shqiptare”,- theksoi ministrja Pirdeni përpara Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së.

Mes përpjekjeve për të forcuar më tej sundimin e ligjit dhe mirëqeverisjen, ministrja Pirdeni përmendi krijimin e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, i cili ka mision të avancojë reformat në nivel të thellë dhe të sigurojë dialogun e nevojshëm me të gjitha palët e interesuara në kuadër të axhendës integruese në BE.

Diskutimet e mbledhjes së këshillit u bazuan mbi raportin e Komisionit Europian “Shteti i së Drejtës 2024”, për 27 vende anëtare të Bashkimit Europian, ku për herë të parë në raport u përfshi Shqipëria së bashku me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. (Elona)