Qendra e pritjes së refugjatëve në landin e Hesenit të Gjermanisë / foto nga VCG
Në Gjermani jetojnë rreth 3.48 milionë refugjatë dhe 80.5 për qind e tyre nuk mund të dëbohen për shkak të situatës në vendin e tyre të origjinës, thuhet në të dhënat e publikuara nga Regjistri Qendror i të Huajve në Gjermani, bazuar te shifrat e marra në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2024, shkruan “Panorama”.
Kjo shifër është rreth 60.000 vetë më shumë se në fund të vitit 2023 dhe më shumë se në çdo periudhë tjetër që nga vitet 1950.
Nisur nga këto shifra, zëdhënësja për politikën ndaj refugjatëve e grupit parlamentar të partisë E Majta në Bundestag, Clara Bünger, kritikoi në një intervistë mediatike debatin për emigracionin në Gjermani.
“Edhe pse kjo shifër përbën vetëm 4 për qind të popullsisë së përgjithshme të Gjermanisë, politikanët e partive në qeveri duan t’i bëjnë njerëzit të besojnë se kjo pakicë e vogël është përgjegjëse për të gjitha problemet e tyre. Kjo është marrëzi e rrezikshme që vetëm forcon të djathtën ekstreme”,- tha ajo.
Sipas medies gjermane, shifra prej 3.48 milionë refugjatësh përfshin të gjithë personat që kërkojnë mbrojtje në Gjermani për arsye humanitare, pavarësisht nga statusi i tyre i qëndrimit. Ndër ta, rreth 1.18 milionë janë nga Ukraina.
Rreth 80.5 për qind e personave që duhet të largohen nga Gjermania vazhdojnë të tolerohen përmes statusit “Duldung”, sepse nuk mund të dëbohen apo deportohen për shkak të situatës në vendin e tyre të origjinës. (Elona)