Qeveria miraton skemën kombëtare të investimeve
2024-09-25 17:27:10

Qeveria vijon mbështetjen për  të rritur, fuqizuar dhe modernizuar aktivitetin bujqësor të fermerëve dhe blegtorëve, si edhe peshkimin përmes akuakulturës. Kjo shihet në financimet që po bëhën në këtë sektor. Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj ka bërë publike edhe detajet e skemës kombëtare të investimeve.

“Sapo kemi miratuar në Këshillin e Ministrave Skemën Kombëtare të Investimeve në ferma, një instrument i ideuar për të rritur, fuqizuar dhe modernizuar aktivitetin bujqësor të fermerëve, blegtorëve dhe mbi të gjitha sektorin e peshkimit nëpërmjet akuakulturës. Si ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural një angazhim shumë të rëndësishëm ka promovimi i kësaj skeme në ditët në vijim. Megjithatë, desha të jepja disa informacione paraprake cilët do të jenë përfituesit kryesorë të një Skeme Kombëtare me 50% të investimit grante.”- tha Denaj.

Në këtë skemë parashikohet mbështetje për serrat.

“Fokusi i parë, do të jetë për të gjithë të interesuarit që duan të zgjerojnë investimet në serra të cilat sot kanë rritur sipërfaqen në hektarë në gati 2200 ha nga 1000 ha që ishte para pesë vitesh dhe kjo skemë kombëtare ndihmon më shumë rritjen me mesatarisht sipas parashikimit nga 200 deri në 250 ha në vit për të siguruar një produkt cilësor në zinxhirin e ushqimit, jo vetëm për prodhimin vendas, por mbi të gjitha për tregun e synuar evropian, i cili sot në 80 tregje elitare na nderon dhe na siguron të ardhura në këtë sektor.”

Blegtoria është në fokus për të bërë të mundur uljen e kostove.

“ Shumë i rëndësishëm është sektori i blegtorisë, i cili përgjatë gjithë këtij viti ka pasur një vëmendje të shtuar jo vetëm përmes skemës kombëtare të subvencioneve ku të paktën gjysma e vlerës së skemës shkon për sektorin e blegtorisë. Kjo bëhet  në mënyrë që të ulen kostot e prodhimit në mënyrë të drejtpërdrejtë, por nëpërmjet kësaj skeme të investimeve me 50% grant do të mundësojmë rritjen e infrastrukturës së mbarështimit të kafshëve dhe shpresoj që të gjitha këto investime të jenë të fokusuara në standardet të cilësisë, sipas atyre të Bashkimit Evropian, që  e do t’i vij në ndihmë si ndërtimit të serrave gjithashtu edhe të stallave. VKM-ja283, e cila në muajin korrik siguroi mundësinë, që për të njëjtën investim për arsye të ndryshimit të distancave që siguruam në këtë ndryshim të VKM-së të rrisim prodhimin me të paktën 15-20%.”

Gjithashtu skema synon të rriten kapacitetet prodhuese.

“Shumë i rëndësishëm është sektori i akuakulturës. Dua të theksoj, që për këtë sektor ambicia e qeverisë shqiptare për të kapur tregje ndërkombëtare është në vitin 2030 me 30000 ton peshk që vjen nga akuakultura. Sot ne jemi në 9600 ton dhe sigurisht që për të zhvilluar këtë potencial të rritur në ujërat tona është e domosdoshme një mbështetje nëpërmjet Skemës së Investimeve në grante, ku akuakultura do të ketë edhe kjo fokus në këtë skemë. Mekanika bujqësore është e domosdoshme për të qenë në krahë të të gjithë inovacioneve, ndryshimeve, të cilat sot po përqafohen gjithnjë e më shumë nga fermerët e blegtorët tanë për të rritur mundësinë e prodhimit, rendimentit, por edhe mbi të gjitha për të ulur koston, e kështu për të qenë më konkurrues me produktet që ata prodhojnë.”-tha Denaj.

Konkretisht, për sa i takon serrave diellore masa e përfitimit do të jetë jo më shumë se 15 milion lekë/ha për serrat e prodhimit të perimeve. Synohet edhe mbrojtja nga dëmet e shkaktuara nga moti.

“8 milionë lekë për ha për serrat e prodhimit të rrushit në tavolinë, 4 milionë lekë/ ha për serrat tunelet plastike të prodhimit të luleshtrydheve dhe masa e përfitimit në raport me një investim shumë të rëndësishëm që ne kemi shtuar këtë vit për fokusin e investimit në rrjetat për të mbrojtur pemët frutorë nga breshëri, i cili ka sjellë në 2-3 vitet e fundit dëme për të gjithë zonat, sidomos në pjesën lindore dhe jugore të vendit.Një masë e përfitimit, e cila do të jetë jo më shumë se 1.5 milion lekë/ ha do të shkojë për rrjetat antibreshër. E kështu, do të kemi mundësi të ruajmë produktin shqiptar dhe nga ndryshimet dhe kushtet klimatike që sot ballafaqohemi çdo ditë e më shumë.”

Por si do të funksionojë skema?

“Skema ka një buxhet, i cili për këtë vit fillon me 500 milion lekë, një buxhet i siguruar nga Akti Normativ i miratuar ditën e enjte në Parlamentin e Shqipërisë, por do të vijohet të paguhet edhe përgjatë vitit që vjen. Është e rëndësishme që me anonimin e kësaj skeme në muajin tetor shpresojmë, që data 1 tetor të jetë data ku të gjithë aplikimet të merren në pikat tona agro nëpërmjet institucionet që do t’a menaxhoj këtë dhe do të jetë AZHBR. Do të vijojë përgjatë gjithë vitit të përfitohet një informacion për të marrë aplikime. Me marrjen e përfitimit të përgjigjes pozitive, nëse kushtet plotësohen mund të ketë një pagesë të menjëhershme përgjatë këtij viti në masën 30%. Është shumë e rëndësishme që të gjitha kushtet të cilat do të jenë të paraqitura në faqet tona të webit të ministrisë, të AZHBR-së dhe nëpërmjet një aplikimi i cili do të jetë vetëm online të jetë përgjatë gjithë kohës në standardet e kërkuara sipas një VKM-je të aprovuar ditën e sotme.”, u shpreh ministrja e bujqësisë Anila Denaj