Kryeministri Rama (Foto Atsh)
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në emër të Shqipërisë në selinë e OKB-së në Nju Jork, tha se teknologjia digjitale është bekim për vendet në zhvillim.
“Ne po shfrytëzojmë përparësitë e modelit të inteligjencës artificiale për të çuar shpejt përpara negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian”, - deklaroi kryeministri Rama, citon “ATSH”.
“Gjithashtu po shohim në këtë drejtim edhe për ndërtimin e një modeli të ri plotësisht transparent dhe 95% të bazuar tek inteligjenca artificiale për prokurimet publike”,- shtoi kreu i qeverisë.
Kryeministri foli edhe anën tjetër të medaljes, sulmet kibernetike.
“Shqipëria ka qenë viktimë e një sulmi të egër kibernetik nga Irani. Ne e provuam në realitet se sa shumë kjo botë e re e bazuar në teknologji mund të sjellë dëme për vendet dhe për qytetarët.
Por tek e fundit, nuk ka aspak dyshim se nëse do të jemi në gjendje të krijojmë një sistem, ku bota dhe komuniteti i kombeve të përfitojnë më të mirën nga premtimet e teknologjisë digjitale dhe në të njëjtën kohë, të frenojnë të gjitha efektet e dëmshme që mund të vijnë nga përdorimi dashakeq i saj, kjo botë do të jetë një vend shumë më i mirë”,- tha Rama. (Elona)