Marreveshje bashkepunimi me Hungarine (Foto Atsh)
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Zyrën Hungareze të Pronësisë Intelektuale.
Drejtoresha e përgjithshme e komanduar e DPPI-së, Maria Solis, mirëpriti Peter Labody, zëvendëspresident i Zyrës Hungareze të Pronësisë Intelektuale, në një takim që synonte të përforconte urat e bashkëpunimit mes dy institucioneve, ku u nënshkrua edhe marrëveshja e bashkëpunimit.
Ky mision, i fokusuar në zhvillimin dhe fuqizimin e ekosistemit të inovacionit, përbën një mundësi mjaft të mirë për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira, shkruan “ATSH”.
Diskutimet në dy ditët e vizitës së delegacionit hungarez u përqendruan te rritja e ndërgjegjësimit për inovacionin në universitetet dhe start-up-et, duke sjellë përvojën e suksesshme të zyrës hungareze.
Ky bashkëpunim ndërinstitucional ndihmon jo vetëm në ngritjen e kapaciteteve, por edhe në forcimin e lidhjeve mes inovatorëve të rinj dhe institucioneve të pronësisë intelektuale, duke ndërtuar një themel të fortë për të ardhmen e inovacionit në Shqipëri. (Elona)