Foto nga VCG
Kohët e fundit, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës Xi Jinping iu përgjigj letrës së pasardhësve të përfaqësuesve nga kombësi të ndryshme, të cilët ngritën një monument në Puer të provincës Yunnan për të shprehur premtimin e tyre për ruajtjen e unitetit kombëtar
Xi, po ashtu president i vendit dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak të Kinës, vuri në dukje se "në vitin 1951, përfaqësues të të gjitha kombësive, duke përfshirë paraardhësit tuaj, ngritën këtë monument dhe u zotuan solemnisht se do ta ndiqnin Partinë Komuniste të Kinës." Për më shumë se 70 vjet, banorët e të gjitha kombësive kanë punuar bashkë me Partinë, kanë promovuar arritjet historike në zhvillimin ekonomik e shoqëror në zonat kufitare dhe kanë shkruar një kapitull të gjallë në unitetin dhe përparimin kombëtar.
Xi Jinping-u theksoi më tej se kombi kinez është një familje e madhe dhe 56 kombësitë janë pjesëtarë të kësaj familjeje, të cilët e duan njëri-tjetrin. "Shpresoj se ju do të çoni përpara traditat e lavdishme të paraardhësve tuaj dhe do të vazhdoni të shkruani historinë e monumentit të betimit e të unitetit kombëtar," u shpreh Xi në letrën e përgjigjes.
Foto nga VCG
Ditën e Vitit të Ri 1951, banorët e të gjitha kombësive në prefekturën Pu'er mbajtën një mbledhje dhe ngritën një monument betimi bazuar në zakonet e pakicave kombëtare, duke thënë: "Do të bashkohemi deri në fund dhe, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kinës, do të përpiqemi të ndërtojmë një familje të madhe barazie, lirie dhe lumturie." 48 përfaqësues të kombësive nënshkruan në këtë monument.
Kohët e fundit, pasardhësit e atyre që ngritën monumentin në Pu'er i shkruan Xi-së, duke treguar për jetën e lumtur të banorëve vendorë të të gjitha kombësive. (Çang Çuo)