foto nga VCG
Qeveria shqiptare ka forcuar infrastrukturën mbrojtëse të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike për t’u bërë ballë sulmeve kibernetike.
Kreu i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa, bëri të ditur se gjatë dy viteve të fundit Shqipëria ka rënë pre e sulmeve kibernetike, ku vetëm gjatë vitit 2023 ishin 46 të tilla, citon “ATSH”.
“Këtë vit janë regjistruar rreth 20 sulme kibernetike. Fatmirësisht këto sulme janë parashikuar dhe bllokuar”,- tha ai në një intervistë televizive.
Tafa u shpreh se bankat, shërbimet digjitale dhe sektori i energjisë janë në shënjestër të keqdashësve kibernetikë, që janë të lidhur me Iranin.
“Infrastruktura digjitale është ajo që zë një peshë të rëndësishme. Kemi parë shpeshherë që sektori bankar është nën goditje të vazhdueshme kibernetike. Në sektorin energjetik ka pasur disa tentativa”,- u shpreh ai.
Tafa nënvizoi se për t’iu bërë ballë sulmeve kibernetike, qeveria ka forcuar infrastrukturën mbrojtëse të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
“Kjo mbrojtje është shumëdimensionale. Kërkon investime në teknologji, investime në mënyrë të përditshme në të gjitha proceset e punës në të gjitha infrastrukturat e vendit dhe investime në pjesën e talenteve apo kapaciteteve”, - u shpreh ai.
Së fundmi Shqipëria u ngjit me 23 vende në Indeksin Global të Sigurisë Kibernetike, duke u pozicionuar në vendin e 57-të në rang global. (Elona)