Spiropali - Ahmeti (Foto Atsh)
Në vijim të vizitës në Shkup, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, u takua me Ali Ahmetin, kryetar i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Talat Xhaferin, ish-kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ish-kryeministër, me të cilët diskutoi mbi rolin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut si faktor demokratizimi, integrimi, stabiliteti e paqeje në vend e në rajon, si dhe nevojën e ruajtjes së përfaqësimit të drejtë e proporcional të shqiptarëve në shoqërinë dhe institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, bën të ditur “ATSH”.
“Jemi krenarë mbi rolin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut si faktor stabiliteti, paqeje dhe orientimi euroatlantik në vend, ku theksuam nevojën e ruajtjes së përfaqësimit të drejtë e proporcional të shqiptarëve në shoqërinë dhe institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe respektimin e arritjeve shumëplanëshe të tyre në funksion të një shoqërie multietnike e demokratike”, - theksoi Spiropali.
Me kryetarin e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Venko Felipče, kryeparlamentarja Spiropali diskutoi për marrëdhëniet e shkëlqyera me RMV, integrimin rajonal dhe përfaqësimin e drejtë dhe proporcional të shqiptarëve në RMV. (Elona)